
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar si “emocion që nuk përshkruhet lehtë” nderimin që ajo dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, morën nga Universiteti i Prishtinës me çmimin “Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës”.
Në fjalën e saj gjatë ceremonisë, Osmani tha se ky çmim është më shumë se një nder personal, duke e parë atë si vlerësim për dijen dhe për rrugëtimin akademik të shumë brezave që kanë kaluar nëpër UP.
“Një komb që nderon dijen, nuk ka asnjëherë asnjë arsye që të frikësohet nga e ardhmja”, u shpreh presidentja, teksa falënderoi “nga zemra” rektorin dhe Universitetin për këtë çmim.
Ajo theksoi se rrënjët e çdo arritjeje fillojnë pikërisht në vendin ku për herë të parë është ndezur “drita e dijes” dhe ku studentët kanë guxuar të ëndërrojnë përtej kufizimeve.
“Ky çmim është një kujtesë se rrënjët e çdo arritjeje fillojnë pikërisht në vendin ku për herë të parë kemi guxuar të ëndërrojmë, pavarësisht rreziqeve, dhe aty ku për herë të parë është ndezur drita e dijes,” tha Osmani.
Presidentja kujtoi periudhën e saj si studente dhe më pas profesoreshë në UP, duke e cilësuar si përvojë që e ka formësuar “si njeri, si profesioniste dhe si presidente”.
Në fund, Osmani tha se studentët e Universitetit të Prishtinës janë ambasadorët më të mirë të Kosovës në botën e dijës, duke nënvizuar se ky institucion mbetet themeli i zhvillimit intelektual e kombëtar të vendit.



