Lajme
Kryesore

OSBE/ODIHR dhe KQZ inspektojnë procesin e votës së diasporës në Parkun Olimpik

Përfaqësues të Misionit të OSBE/ODIHR, të kryesuar nga Ambasadori Lamberto Zannier, bashkë me Kryekomisionerin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, zhvilluan një vizitë inspektuese në Parkun Olimpik, ku ndodhet qendra e grumbullimit dhe administrimit të zarfeve të votës së diasporës për zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë kësaj vizite, Zannier vlerësoi organizimin e procesit, duke deklaruar për mediat se “Procesi për votën e emigrantëve po shkon shumë mirë. Duket se gjithçka është e mirëpërgatitur.”

I pyetur për deklaratën e deputetit Blendi Klosi, i cili kishte thënë se vota e parë e ardhur nga diaspora ishte për Partinë Socialiste, Zannier u shpreh skeptik: “Nuk e kuptoj se si mund ta dijë z. Klosi se për kë ka shkuar ajo votë.”

Mbrëmjen e së enjtes, kanë mbërritur 735 zarfet e para me votat e emigrantëve shqiptarë, të cilat pas marrjes në dorëzim po selektohen dhe verifikohen për dëmtime. Më pas, zarfet po ndahen sipas qarqeve përkatëse, përmes një pajisjeje elektronike që identifikon vendin e origjinës dhe qarkun përkatës të votimit.

Zarfi i parë i skanuar dhe futur në kutinë e votimit i përkiste qarkut të Beratit, ndërsa votuesi jeton në Gjermani.

Sipas të dhënave të publikuara nga Celibashi, 36% e zarfeve – rreth 90 mijë fletë votimi – janë shpërndarë tashmë qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Nga diaspora janë regjistruar dhe kanë votuar 111 zgjedhësit e parë, ndërsa zarfi i parë pritet të mbërrijë në Shqipëri gjatë pasdites së sotme.

“Vendit me shpërndarjen më të madhe të zarfeve janë Italia, Greqia dhe Gjermania. Duam që procesin ta përfundojmë brenda dy ditëve,” deklaroi Celibashi, duke theksuar transparencën dhe korrektësinë e procesit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button