Kosova

Oda Ekonomike e Kosovës dorëzon padi në Gjykatën Supreme për shkyçjen e bizneseve nga energjia elektrike

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, njoftoi se sot do të dorëzojnë padi në Gjykatën Supreme për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili ka çuar në shkyçjen e qindra bizneseve nga rrjeti elektrik.

Rafuna tha se OEK do të shfrytëzojë hapësirën ligjore për të mbrojtur bizneset e prekura. “Sot, në emër të anëtarëve të OEK-ut, do ta dorëzojmë kërkesën në administratën e Gjykatës Supreme. Do të kërkojmë të drejtën që na e njeh ligji, në emër të bizneseve. Kjo është një hapësirë ligjore që kemi gjetur, sepse nuk mund të shkonim në Gjykatën Komerciale në këtë rast”, tha ai.

Ai kritikoi mënyrën se si është zbatuar vendimi i ZRRE-së, duke e cilësuar procesin si “të kundërligjshëm dhe të padrejtë” dhe duke thënë se ndërprerjet gjatë fundjavës kanë krijuar një imazh të gabuar për bizneset, sikur ato të ishin të paligjshme.

“Sipas të dhënave tona, deri më tani janë shkyçur rreth 450 biznese, dhe pritet që numri të rritet. Dëmi për bizneset është i pariparueshëm, ndërsa veprimet e ZRRE-së janë dhunshme. Heshtja e qeverisë ndaj këtij problemi është e padrejtë jo vetëm për biznesin, por edhe për qytetarët e Kosovës”, tha Rafuna.

ZRRE ka njoftuar se nga 16 gushti ka filluar shkyçjen e bizneseve që duhet të kalojnë në treg të hapur të energjisë elektrike, sipas vendimit të Gjykatës Komerciale të Shkallës së Dytë. Sipas këtij vendimi, kompania me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit janë të detyruara të kalojnë në tregun e hapur, ndërsa furnizimi i përkohshëm bëhet nga KEK si Furnizues i Mundësisë së Fundit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button