KryesoreLajme

‘Nuk do na zgjidhi Europa problemet’, Kraja: Pensionet, pagat e investimet do i rrisi qeveria e PD

I ftuar në intervistën e ditës, Akil Kraja, kandidat për deputet i Partisë Demokratike në Tiranë, u shpreh se politika e brendshme është çelësi për ta afruar Shqipërinë me Bashkimin Europian.

Kraja theksoi se janë reformat dhe veprimet konkrete të qeverisë së ardhshme që mund të përmirësojnë jetën e qytetarëve, dhe jo vetëm perspektiva europiane si një koncept abstrakt.
Akil Kraja:

Së pari, nuk është Europa ajo që ul taksat është Partia Demokratike, nesër në pushtet, që angazhohet për t’i ulur ato. Nuk është Europa ajo që rrit pensionet është Partia Demokratike që, me ardhjen në pushtet, do të dyfishojë pensionet. Nuk është Europa ajo që do të investojë për të kthyer shqiptarët në atdhe jemi ne që duhet të ndërtojmë një Shqipëri që i ofron arsye për të qëndruar e për t’u rikthyer.

Duhet të kuptojmë se një Shqipëri Madhështore nënkupton që të kujdesemi për “punët e shtëpisë”. Të ndihmojmë bizneset, që përmes uljes së barrës fiskale, të rrisin pagat mesatare. Duke rritur të ardhurat dhe kontributet, ne kemi mundësi të ulim TVSH-në në 15%, çka do të çojë në një rritje të fuqisë blerëse së qytetarëve.

Integrimi në Europë është një proces që kërkon kapacitetin tonë për të qenë më të pasur, më konkurrues me bizneset europiane, dhe më të aftë për të respektuar standardet e BE-së, si në sigurinë ushqimore, në mbrojtjen e mjedisit dhe në sundimin e ligjit.

Nuk duhet ta shohim integrimin si një proces që “vjen nga Europa” dhe na imponohet përkundrazi, është një rrugëtim që nis në Tiranë dhe përfundon në Bruksel. Asnjë shtet i Bashkimit Europian nuk do të mund të thotë “jo” integrimit të Shqipërisë nëse:

kemi paga të krahasueshme me vendet e BE-së,

luftojmë me sukses krimin e organizuar si vendet e BE-së,

sigurojmë produkte të konsumit të përditshëm në përputhje me standardet europiane,

dhe kemi biznese që integrohen në zinxhirët prodhues dhe eksportues të BE-së.

E përsëris: Europa nuk është një shpëtimtar i jashtëm. Është një proces reformimi i brendshëm, i cili nis me vullnetin politik dhe veprimet konkrete të qeverisjes sonë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button