Kosova

Njihuni me Superschools në Kosovë: 7 shkolla nisin një cikël të ri bashkëpunimi rajonal

 

Shkollat e përzgjedhura prezantuan partneritetet e tyre, zhvilluan biseda të drejtpërdrejta me partnerët institucionalë dhe nënshkruan Marrëveshjet e Partneritetit në kuadër të Thirrjes së 5-të të Hapur të Superschools.

7 shkolla të mesme nga Kosova, të përzgjedhura në kuadër të Thirrjes së 5-të të Hapur të Superschools, prezantuan partneritetet e tyre rajonale dhe idetë e reja të projekteve gjatë aktivitetit “Meet the Superschools” në kuadër të programit Superschools, një nismë e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian (EU) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe e zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GMbH së bashku me Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO).

Shkollat e përzgjedhura po krijojnë partneritete me shkolla nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Projektet e tyre të përbashkëta përdorin të nxënit ndërkulturor, edukimin joformal dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve shkollore për të mbështetur dialogun, përfshirjen, ndërtimin e paqes dhe lidhje më të forta ndërmjet të rinjve në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Thirrja e 5-të e Hapur është pjesë e Superschools 3.0, që synon të mbështesë 165 partneritete dypalëshe shkollore me përfshirjen e 330 shkollave të mesme dhe 660 mësuesve. Këto partneritete do të realizojnë 330 shkëmbime, duke angazhuar rreth 3,960 të rinj në katër thirrje të hapura, duke i njohur shkollat e përzgjedhura me objektivat, qasjen e zbatimit dhe mundësitë e fazës së re të projektit.
Një bisedë e përqendruar te shkollat dhe partneriteti

Përfaqësuesit institucionalë diskutuan përse puna e shkollave është e rëndësishme për ndërtimin e paqes dhe bashkëpunimin rajonal, përse ka rëndësi mbështetja afatgjatë për Superschools dhe çfarë mesazhi duhet t’u përcillet shkollave që po nisin ciklin e ri të projektit.
“Paqja mund të fillojë në klasë, por nuk mund të përfundojë aty”, tha Krenare Gashi-Krasniqi, Udhëheqëse e Zyrës Lokale të RYCO-s në Kosovë. “Përmes pesë cikleve të programit Superschools, kemi parë se si arsimi dhe bashkëpunimi ndërmjet të rinjve mund të sfidojnë stereotipet dhe të ndërtojnë besim në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Me Strategjinë e Arsimit të Kosovës 2035+ që ofron një mundësi të rëndësishme, tani është koha që Edukimi për Paqe të bëhet pjesë më e qëndrueshme e sistemit tonë arsimor. Në RYCO, jemi të gatshëm të kontribuojmë me përvojën dhe ekspertizën tonë për ta shndërruar këtë vizion në veprim konkret”.
“Nga përvoja ime personale, shkëmbimet rinore kanë çuar drejt një kuptimi më të thellë të vendit tjetër – në rastin tim, Francës – dhe kanë ndryshuar perspektivën time, duke krijuar shpeshherë lidhje afatgjata. Institucionet që mundësojnë këto shkëmbime luajnë një rol kyç. Prandaj, është kënaqësi të shohim se RYCO, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë, po nis edicionin e radhës të programit Superschools”, tha Rudolph Rainer, Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë.
“Themelët e paqes dhe tolerancës vendosen në klasa, aty ku të rinjtë mësojnë të respektojnë dallimet, të sfidojnë stereotipet dhe të ndërtojnë besim”, tha Hupin, duke theksuar se edhe vetë integrimi evropian nisi si një projekt paqeje.

Kafe me Superschools
Pjesë qendrore e programit ishte “Coffee with the Superschools,” një sesion joformal i moderuar, që solli përfaqësuesit e shkollave në bisedë të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e donatorëve, ministrive dhe RYCO. Shkollat diskutuan ndikimin e shkëmbimeve të mëparshme, çfarë i motivon të vazhdojnë, përfitimet nga partneritetet e tyre dhe pritshmëritë për ciklin e ri.

Shkollat e përzgjedhura prezantuan përmbledhje të shkurtra të projekteve të tyre të reja dhe nënshkruan Marrëveshjet e Partneritetit gjatë aktivitetit. Nënshkrimi përfaqësoi një angazhim të përbashkët për ciklin e ardhshëm të bashkëpunimit dhe lidhi përvojën e mëparshme të shkollave me planet e tyre për shkëmbimet e reja.
Projektet ku përfshihen shkolla nga Kosova janë “Building Sustainable Bridges through Intercultural Dialogue, Youth Leadership, and Homestays”, “Beyond Borders, United Hearts”, “Ghosts of the Past, Present, and Future”, “Together We Can”, “Finding Talents – United for Arts”, “Sounds Unite Us”, dhe “Shared Homes, Shared Stories”.
RYCO përgëzon shkollat e përzgjedhura dhe mirëpret mundësinë për t’i mbështetur ndërsa i shndërrojnë idetë e tyre të projekteve në përvoja domethënëse të të nxënit për nxënësit, mësuesit dhe komunitetet shkollore.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button