Rajoni

Ndërtuesi serb në Berlin dënohet me 5 vite burg për evazion fiskal: Paraqitej si bamirës në Serbi

Një sipërmarrës ndërtimi me origjinë nga Serbia është dënuar me pesë vite burg në Gjykatën Rajonale të Berlinit për evazion fiskal në vlerë prej miliona eurosh. 53-vjeçari, identiteti i të cilit nuk është bërë publik nga mediat gjermane, akuzohet për dëmtim të shtetit gjerman në shumën prej rreth 15 milionë eurosh, përmes punës së paligjshme dhe mashtrimeve financiare sistematike.

Sipas kryetares së trupit gjykues, Christine Klimke, i pandehuri kishte ndërtuar që nga fillimi një skemë të qëllimshme për të shmangur detyrimet fiskale dhe për të transferuar sa më shumë para në Serbi, ku përfitimet e paligjshme i përdorte për të ndërtuar imazhin e një bamirësi.

“Kjo nuk ishte rastësi. Qëllimi i tij që në themelimin e kompanisë ishte të dërgonte para në vendlindje dhe të krijonte një imazh të rremë bamirësie”, deklaroi gjyqtarja Klimke gjatë shpalljes së vendimit.

Sipas aktakuzës, kompania e ndërtimit që ai drejtonte në mënyrë de facto paguante punëtorët në para të gatshme dhe nuk raportonte të ardhurat në organet kompetente. Për të maskuar rrjedhjen e parave, përdorej një rrjet faturash fiktive përmes nënkontraktorëve të rremë.

Pasuri të konfiskuara në vlerë mbi 20 milionë euro
Gjykata vendosi konfiskimin e 7 milionë eurove nga vetë i pandehuri dhe 14 milionë eurove të tjera nga kompania që ai kontrollonte, duke e çuar në mbi 20 milionë vlerën totale të pasurisë së sekuestruar.

Në lidhje me rastin, një punonjës i zyrës së tij u dënua me 11 muaj burg me kusht për falsifikim dokumentesh, ndërsa djali i të pandehurit – i përfshirë gjithashtu në kompani – u dënua vetëm me paralajmërim.

Kritika ndaj hetuesve: Shkelje të rënda procedurale
Gjyqtarja Klimke kritikoi ashpër mënyrën e hetimeve, duke i quajtur ato “me abuzime serioze dhe sistematike”. Ajo theksoi se Administrata e Përgjithshme e Doganave kishte analizuar në mënyrë të paligjshme korrespondencën mes të pandehurit dhe avokatit të tij, duke shkelur parimet themelore të procesit gjyqësor. Gjithashtu, u evidentuan mangësi në menaxhimin e dosjeve dhe dyshime për shkelje të detyrës zyrtare nga hetuesit.

“Përfaqësuesit e shtetit duhet të ndjekin rregullat. Askush nuk është mbi ligjin”, përfundoi gjyqtarja Klimke.

Ky rast është një nga më të mëdhenjtë në vitet e fundit në Gjermani që nxjerr në pah jo vetëm problemet strukturore në sektorin e ndërtimit, por edhe sfidat që lidhen me mbikëqyrjen institucionale dhe respektimin e të drejtave themelore në proceset hetimore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button