Lajme

Muçollari: Pas 11 majit, PD nis procesin për garantimin e sigurisë ushqimore – AKU do të rithemelohet si AKSU

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka marrë pjesë sot në një takim të organizuar nga kreu i PD-së, Sali Berisha, me fokus te siguria ushqimore në vend. Në fjalën e tij, Muçollari ngriti alarmin për një situatë të rëndë që, sipas tij, po kërcënon familjet shqiptare për shkak të dështimeve të qeverisë në këtë sektor jetik.

Ai paralajmëroi se pas datës 11 maj, Partia Demokratike do të nisë një proces të ri për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të mbështetur fermerët shqiptarë. Sipas Muçollarit, një nga hapat konkretë do të jetë rithemelimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), i cili do të transformohet në një institucion me status sigurie kombëtare nën emrin e ri Agjencia Kombëtare e Sigurisë Ushqimore (AKSU).

“Pasiguria ushqimore është pasiguria më e frikshme që po bën kërdinë në familjet tona,” u shpreh Muçollari. Ai akuzoi qeverinë për papërgjegjshmëri dhe mungesë të theksuar investimesh në këtë sektor. Sipas tij, AKU është trajtuar si “plaçkë lufte”, ndërsa mungesa e laboratorëve dhe mbështetjes për fermerët ka çuar në kthimin e produkteve shqiptare nga tregjet e BE-së.

“PD angazhohet ta trajtojë çështjen e sigurisë ushqimore si çështje të sigurisë kombëtare. Do të garantojmë që produktet shqiptare të jenë të certifikuara, të vlerësuara dhe të pranishme në tregjet europiane,” përfundoi ai.

Ky premtim vjen në kuadër të një fushate të re të Partisë Demokratike për të rivendosur standardet në sektorët kyç të vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button