Mohamed Salah vazhdon të shkruajë historinë, objektiv rekordi i Shearer dhe Cole
Mohamed Salah po konsolidon gjithnjë e më shumë statusin e tij si një nga legjendat më të mëdha jo vetëm të Liverpool-it, por edhe të futbollit anglez në përgjithësi. Në fitoren 2-1 të “Reds” ndaj West Ham, edhe pse nuk shënoi, sulmuesi egjiptian dha një asist vendimtar për golin e parë të ndeshjes, realizuar nga Luis Díaz.

Ky ishte asistimi i tij i 18-të në këtë sezon – një tregues i qartë i kontributit të tij të gjithanshëm në skuadër. Salah nuk është vetëm një finalizues vrastar, por edhe një pasues i klasit të lartë.
Pikërisht kjo pasim për golin e Díaz e ka futur egjiptianin në një kapitull të veçantë të historisë së Premier League. Me këtë asist, Salah ka arritur në 45 gola dhe asistime të kombinuara në kampionat këtë sezon, një rekord absolut që prej vitit 1995, kur Premier League kaloi në formatin aktual me 20 skuadra.
Me këtë shifër, Salah ka kaluar edhe emra legjendarë si Thierry Henry (24 gola dhe 20 asistime në sezonin 2002/03 me Arsenalin) dhe Erling Haaland (36 gola dhe 8 asistime sezonin e kaluar me Manchester City-n).
Nëse marrim në konsideratë edhe periudhën para 1995-ës, kur Premier League kishte 22 skuadra, vetëm dy lojtarë kanë regjistruar më shumë kontribute në gola: Alan Shearer dhe Andy Cole, të dy me nga 47 gola dhe asistime të kombinuara (Shearer me Blackburn në sezonin 1994/95 dhe Cole me Newcastle një sezon më parë).
Me edhe 6 ndeshje të mbetura në kampionat, Salah ka të gjitha mundësitë për të kaluar edhe këta dy dhe për ta mbyllur sezonin me një tjetër rekord historik. Një tjetër faqe e artë në karrierën e tij dhe në historinë e Premier League.