Mirlind Daku protagonisti i ndeshjes, por përfundon me karton të kuq: Rubin Kazan humbet ndaj Dinamos së Moskës

Mirlind Daku ka qenë protagonist përsëri sot në futbollin rus, por jo plotësisht siç do të dëshironte futbollisti i Kombëtares shqiptare.
Në ndeshjen që Rubin Kazan ku ai aktivizohet, luante kundër Dinamos së Moskës, ai dha një asist, por pastaj e mbylli ndeshjen para kohe me karton të kuq. Fillimisht Daku u ndëshkua me karton të verdhë që në minutën e 9-të të ndeshjes.
Ndërsa në minutën e 25-të, një pasim i tij solli golin e barazimit të përkohshëm të Bezrukov.
Ai tentoi gjithmonë të vinte në vështirësi mbrojtjen kundërshtare, por agresiviteti i tepruar i kushtoi shtrenjtë në minutën e 90, kur pas një tjetër faulli, gjyqtari kryesor i tregoi atij kartonin e kuq dhe e largoi para kohe nga fusha e lojës në ndeshjen që u mbyll me shifrat 3-1 për Dinamon e Moskës.
Ky ishte asisti i 6-të i Dakut, që u shtohet 11 golave të shënuar në 22 ndeshje të luajtura në këtë sezon në Rusi, ku ka përmirësuar ndjeshëm statistikat e atij paraardhës.