Millorad Dodik humb mandatin, shpallen zgjedhje të parakohshme në Republikën Sërpska

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i ka përfunduar zyrtarisht mandati, pasi Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës hodhi poshtë ankesën e tij ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me të cilin i hiqet mandati. Vendimi i gjykatës është përfundimtar.
Sipas Ligjit Zgjedhor të Bosnje dhe Hercegovinës, KQZ-ja duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska, të cilat do të mbahen brenda 90 ditësh. Mandati i presidentit të zgjedhur do të zgjasë deri në zgjedhjet e përgjithshme të planifikuara për tetor të vitit të ardhshëm.
KQZ-ja kishte marrë vendim për të hequr mandatin Dodikut pas vendimit të gjykatës, që e kishte dënuar atë me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt.
Ekipi juridik i Dodikut kishte kundërshtuar përfundimin retroaktiv të mandatit dhe pjesëmarrjen në votim të anëtares së KQZ-së, Vanja Bjellica Prutina, për shkak të një procesi gjyqësor civil mes tyre. Megjithatë, gjykata hodhi poshtë të gjitha ankesat.
Dodik e ka refuzuar publikisht vendimin e gjykatës dhe të KQZ-së dhe ka paralajmëruar referendum në fund të shtatorit. Avokatët e tij kanë kërkuar edhe një masë të përkohshme për ndalimin e ekzekutimit të vendimit, si parakusht për të paraqitur më pas çështjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës ka zëvendësuar dënimin me burg prej një viti me gjobë prej rreth 36.500 markash (rreth 18.000 euro), të pagueshme brenda një viti.