Mbi 22 mijë pako me fletëvotime nga diaspora miratohen nga KQZ, refuzohen 755

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellë në Kosovë.
Sipas KQZ-së, qëllimi i këtij procesi është verifikimi nëse pakot janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës.
Deri në përfundim të ditës së mërkurë, më 10 qershor 2026, në procesin e vlerësimit janë përfshirë mbi 23 mijë e 300 pako. Prej tyre, 22 mijë e 601 janë aprovuar, ndërsa 755 janë refuzuar.
KQZ njofton se arsyeja kryesore e refuzimit të pakove lidhet me mungesën e dëftesës së regjistrimit, dokument që përmban të dhëna unike dhe që u dërgohet votuesve të regjistruar.
Sipas të dhënave, në 699 raste pakot janë refuzuar pikërisht për këtë arsye.
Procesi i vlerësimit ka nisur më 9 qershor në orën 16:00 dhe do të vazhdojë deri në përfundimin e verifikimit të të gjitha pakove të pranuara. Pas përmbylljes së këtij procesi, KQZ do të publikojë numrin e pakove me fletëvotime që do t’i nënshtrohen numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Gjatë ditës së hënë, më 8 qershor, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Tërheqja e pakove me fletëvotime ëshë bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellur në Kosovë.
Gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026) numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës është 104,480 votues”, thuhet nga KQZ.



