Lajme
Kryesore

Mbi 100 zyrtarë të gjobitur nga ILDKPKI gjatë vitit të shkuar – Arkëtohen 173 mijë euro

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) ka gjobitur të paktën 101 zyrtarë gjatë vitit të kaluar, duke arkëtuar rreth 17.3 milionë lekë ose 173 mijë euro nga këto masa ndëshkimore.

Sipas raportit vjetor të ILDKPKI, gjatë vitit 2024 janë administruar gjithsej 4,329 deklarata të interesave privatë. Këto janë ndarë në disa kategori: 2,973 deklarata “Periodike Vjetore” për vitin 2023, 605 deklarata “Para Fillimit të Detyrës” për vitin 2024, 500 deklarata “Pas Largimit nga Funksioni” dhe 251 deklarata nga kandidatët për vitin 2024.

Në disa raste, konstatimet e inspektoratit janë referuar për ndjekje të mëtejshme pranë institucioneve ligjzbatuese, përfshirë SPAK-un. Gjatë periudhës 2014 – 2024, janë referuar gjithsej 594 subjekte, mes tyre deputetë, kryetarë bashkie, gjyqtarë, prokurorë, dhe drejtorë të përgjithshëm.

Vetëm në vitin raportues, janë bërë 23 referime penale dhe të tjera, ku një rast është adresuar konkretisht tek SPAK.

ILDKPKI ka vijuar me kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ për 817 zyrtarë e persona të lidhur me ta, për të verifikuar saktësinë e të dhënave të pasurive, të ardhurave dhe detyrimeve të deklaruara. Subjektet e kontrolluara kanë përfshirë deputetë, kryetarë bashkie, anëtarë bordesh, drejtues institucionesh publike, gjyqtarë, prokurorë dhe nëpunës të nivelit të lartë të administratës publike.

Kontrolli i pasurisë dhe konfliktit të interesit vijon të mbetet një nga mekanizmat kyç për rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button