Mazniku distancohet nga Veliaj pas arrestimit: “Jam mik i tij, por drejtësia duhet të bëjë punën e saj”

Arbian Mazniku, prej vitesh një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, ka zgjedhur të mbajë një qëndrim të rezervuar ndaj çështjes së arrestimit të tij, duke shmangur mbështetjen e hapur në një moment kritik për ish-kryebashkiakun.
Në një intervistë për News24, Mazniku theksoi se drejtësia duhet të bëjë punën e saj dhe se Partia Socialiste është e përqendruar tek zgjedhjet. “Pa dyshim, Erioni është një mik i afërti i imi dhe më mungon. Nuk na lejohet të komunikojmë. Është mirë dhe duke bërë betejën e tij,” tha ai.
Ai shtoi se pozicioni i PS-së mbi këtë çështje është i qartë dhe nuk ka asgjë për të shtuar. “Besoj se është çështje që kryeministri është shprehur në mënyrë ezauruese dhe nuk kam për të shtuar dhe për të hequr për pozicionin e PS. Është një pozicion i ekuilibruar dhe i qartë. Unë nuk kam ç’të shtoj as më shumë e as më pak,” u shpreh Mazniku.
“Jam mik i Erionit, por është çështje irelevante. Meritojmë që drejtësia t’i shkojë çështjeve deri në fund. Duhet t’ia lëmë drejtësisë dhe të mos krijojmë aludime. Ka pasur impakt, por jemi të fokusuar tek zgjedhjet,” tha ai, duke theksuar se reforma në drejtësi është një arritje e PS-së dhe Edi Ramës.
Qëndrimi i Maznikut interpretohet nga disa si një distancim i qartë nga Veliaj, duke lënë të kuptohet se partia është e vendosur të mos përfshihet në mbrojtje individuale në këtë fazë delikate.