Kosova

Lista Serbe dorëzon sërish ankesë në Gjykatën Kushtetuese për nënkryetarin e Kuvendit, ekspertët paralajmërojnë rrezik për institucionet e Kosovës

Lista Serbe ka dorëzuar sërish një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb. Sipas ankesës, pretendohet se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka paralajmëruar se situata po shndërrohet në një lojë politike që mund të çojë vendin drejt kolapsit institucional. Ai shtoi se nëse Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme pas ankesës, ekziston mundësia që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen në pranverë 2026, periudhë kjo që përkon me përfundimin e mandatit të presidentes aktuale.

“Alarmi i hershëm për rrezikun e kolapsit të shtetit tashmë do të duhej të kishte prekur ndërgjegjen kombëtare të udhëheqësve. Sot po shohim pothuajse një kolaps brenda-institucional; nesër rrezikohet kolapsi buxhetor; pasnesër rrezikohet siguria publike dhe kombëtare”, ka shkruar Ramadani.

Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar pranimin e ankesës dhe pritet që të shqyrtojë pretendimet e Listës Serbe mbi shkeljet e supozuara ligjore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button