Kosova

LIBRI QË SFIDON MËNYRËN SI DREJTOHEN ORGANIZATAT NË KOSOVË DHE RAJON

Në realitetin e sotëm ekonomik ku shumë biznese në Kosovë dhe rajon mbijetojnë më shumë falë improvizimit sesa menaxhimit të strukturuar, botimi i librit “Bazat e menaxhimit, ndërmarrësia dhe menaxhimi i biznesit” nga Dr. Drita Shaqiri, vjen si sfidë e drejtpërdrejtë ndaj këtij mentaliteti të rrënjosur.

Ky është një libër që përmbledh teorin dhe filozofin e ekonomisë. Gjithashtu është pasqyrë e cila vendos përballë vetes menaxherët, ndërmarrësit dhe institucionet të cilat shpesh pretendojnë profesionalizëm, por operojnë pa standarde të qarta menaxheriale. Që në strukturën e tij, libri ndjek logjikën e qartë: nga bazat teorike, tek ndërmarrësia si forcë ekonomike, deri te aplikimi konkret në biznes dhe analiza e rasteve reale .

Në pjesën e parë, autorja rikthen në vëmendje një të vërtetë e cila shpesh injorohet në praktikën vendore: menaxhimi nuk është instinkt, por disiplinë. Duke kaluar nga Taylor dhe Fayol te qasjet moderne, ajo tregon se organizatat që nuk ndërtohen mbi parime të qarta, janë të destinuara të mbeten në nivelin e mbijetesës, jo të zhvillimit.
Por goditja reale e librit vjen në trajtimin e ndërmarrësisë. Në një shoqëri ku shpesh ndërmarrësi perceptohet si “i guximshëm” më shumë sesa “i përgatitur”, libri e zhvendos diskursin: ndërmarrësia përveq që është ide, gjithashtu ajo edhe është sistem. Nuk është vetëm rrezik, por menaxhim i rrezikut. Dhe mbi të gjitha, nuk është individualizëm i rastësishëm, por pjesë e një ekosistemi ekonomik që duhet të ndërtohet dhe të mbështetet .
Në pjesën mbi menaxhimin e biznesit, libri prek një nga plagët më të mëdha të ekonomive në tranzicion: mungesën e strategjisë. Shumë biznese operojnë pa analizë SWOT, pa planifikim afatgjatë dhe pa kuptuar tregun në të cilin veprojnë. Në këtë kontekst, kapitujt mbi menaxhimin strategjik, operacional dhe marketingun nuk janë thjesht teori, janë një manual i drejtpërdrejtë për të dalë nga kaosi organizativ drejt një strukture funksionale.
Një element që e bën librin veçanërisht të rëndësishëm është përfshirja e të dhënave reale nga pesë kompani në Kosovë, me mbi 650 respondentë. Ky nuk është një luks akademik, por një domosdoshmëri: të flitet për biznesin mbi bazën e evidencës dhe jo perceptimeve .
Por ndoshta pjesa më e fortë e librit është ajo që shumëkush do të preferonte ta shmangte: dështimi. Në një kulturë ku dështimi stigmatizohet, libri e trajton atë si pjesë të procesit të zhvillimit, duke ofruar mësime konkrete nga gabimet e bizneseve. Dhe pikërisht këtu qëndron diferenca mes një ekonomie që mëson dhe një ekonomie që përsërit të njëjtat gabime.

Ky libër përveq se është për studentët e ekonomisë, ai gjithashtu është për çdo menaxher i cili mendon se “gjërat po shkojnë mirë” pa pasur një strategji të qartë. Është për çdo ndërmarrës që beson se ideja mjafton për sukses. Dhe është për çdo institucion që pretendon reformë, por nuk investon në kapacitete reale menaxheriale.
Në fund, pyetja që ngre kjo vepër është e thjeshtë, por thelbësore: A po ndërtojmë biznese mbi dije dhe strategji, apo mbi improvizim dhe rastësi?
Dhe nëse përgjigjja është kjo e dyta, atëherë ky libër nuk është thjesht i dobishëm, është i domosdoshëm.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button