Kosova

LIBËR QË E KTHEN KOMUNIKIMIN NË KULTURË PROFESIONALE

Në kohën kur fjala publike, komunikimi institucional dhe ndërveprimi profesional shpesh përballen me nxitim, keqkuptim dhe mungesë përgjegjësie, libri i Dr. Drita Shaqirit, “Shkathtësitë e komunikimit në biznes – Teori dhe Praktikë”, vjen si kontribut i rëndësishëm akademik dhe praktik për lexuesin shqiptar.

Ky botim përveç se e trajton komunikimin si aftësi teknike, gjithashtu e sheh si kulturë, përgjegjësi dhe instrument të domosdoshëm për funksionimin e organizatave moderne.

Autorja e sheh komunikimin si urë ndërmjet njerëzve, institucioneve, bizneseve dhe publikut, duke theksuar se mënyra se si komunikojmë ndikon në marrëdhëniet që ndërtojmë, vendimet që marrim dhe imazhin që lëmë pas. Libri është ndërtuar mbi qasjen e balancuar ndërmjet teorisë dhe praktikës.

Ai u dedikohet studentëve, menaxherëve, punonjësve të administratës publike e private, sipërmarrësve, trajnerëve, konsulentëve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të përmirësojnë shkathtësitë e tyre komunikuese në jetën profesionale dhe personale.

Në pjesët e tij, libri trajton komunikimin në organizatë, marrëdhënien lider–staf, dëgjimin aktiv, menaxhimin e konflikteve, negocimin, hartimin e mesazheve të biznesit, raportet, propozimet, prezantimet, marrëdhëniet me publikun, komunikimin digjital dhe etikën në komunikim.

Vlerë e veçantë e këtij botimi është se ai nuk mbetet në nivel teorik, por ofron shembuj, udhëzime dhe situata praktike të cilat e bëjnë përmbajtjen të zbatueshme në realitetin institucional dhe organizativ. Dimension i rëndësishëm i librit është trajtimi i komunikimit strategjik dhe politik, veçanërisht në kohën e rrjeteve sociale, polarizimit dhe krizës së etikës në fjalën publike.

Kjo e bën librin të rëndësishëm jo vetëm për biznesin, por edhe për administratën publike, mediat, politikën dhe shoqërinë në përgjithësi. Në thelb, ky libër përcjell mesazh të qartë: organizatat nuk mund të jenë të suksesshme pa komunikim të qartë, etik, të planifikuar dhe njerëzor. Komunikimi përveç se është transmetim i informacionit gjithashtu krijon ndërtim kuptimi, besimi dhe bashkëpunimi.

Me këtë botim, Dr. Drita Shaqiri sjell këtë tekst të dobishëm për formimin akademik dhe profesional, por edhe ftesë për reflektim më të gjerë mbi mënyrën se si flasim, dëgjojmë, kuptojmë dhe ndërtojmë marrëdhënie në jetën publike e profesionale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button