LDK insiston për krijimin e qeverisë tranzicioni dhe nisin konsultimet për zgjedhjet lokale 2025

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka riafirmuar propozimin e partisë për krijimin e një qeverie tranzicioni, që do të përfshinte të gjitha partitë shqiptare. Abdixhiku ka theksuar se ky propozim mbetet ende në fuqi dhe ka nënvizuar se Kosova nuk ka kohë për të humbur më shumë. Ai shkruan në një postim në Facebook: “Zgjidhje dhamë; zgjidhja jonë aty mbetet – kurdo që janë të gatshëm të tjerët.”
Në përpjekje për të pasur një rol aktiv në zhvillimet politike, LDK-ja ka filluar gjithashtu përgatitjet për zgjedhjet lokale. Abdixhiku ka njoftuar se konsultimet për kandidatët për kryetarë komunash dhe këshilltarë lokalë do të fillojnë menjëherë. Ai theksoi se, përkundër bllokadave politike dhe mbledhjeve të përsëritura pa ndonjë qëllim konkret, LDK do të vazhdojë të përqendrohet në proceset e veta, duke përfshirë përgatitjen për Zgjedhjet Lokale 2025, të cilat pritet të mbahen këtë vjeshtë.
“Sot kam thirrur në takim të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së, për të nisur procesin konsultativ dhe përgatitor mbi Zgjedhjet Lokale 2025,” tha Abdixhiku.