Lazio ndalet në çerekfinale, Bodo/Glimt shkruan historinë në Europa League

Lazio ishte në kërkim të një mrekullie përballë Bodo/Glimt, pas humbjes 2-0 në ndeshjen e parë që kishte ndërlikuar ndjeshëm objektivin e skuadrës italiane. Por në sfidën e kthimit të zhvilluar në kryeqytet, formacioni i drejtuar nga Baroni tregoi karakter dhe dëshirë, duke zhbllokuar sfidën që në minutën e 20-të me golin e shpejtë të Castellanos.
Ky gol ndezi shpresat se Lazio do të arrinte një përmbysje historike, megjithatë me kalimin e minutave loja u vështirësua. Kur gjithçka dukej e mbyllur, në minutën e 93-të, Noslin përfitoi nga një rrëmujë në zonë dhe barazoi rezultatin e përgjithshëm, duke çuar takimin në shtesë.
Në minutën e 94-t, Baroni aktivizoi edhe mbrojtësin shqiptar Elseid Hysaj, ndërsa skuadra mori zemër nga përkrahja e tifozëve. Në minutën e 100-të, Dia shënoi golin e tretë për Lazion, por gëzimi zgjati pak, pasi në të 109-ën Helmersen barazoi për Bodo/Glimt me një goditje të saktë me kokë.
Ndeshja përfundoi në ruletën e penalltive, aty ku Lazio u tregua e pafat, duke gabuar në tre nga pesë tentativa. Nga ana tjetër, Bodo/Glimt u tregua i saktë dhe u kualifikua për herë të parë në historinë e saj në gjysmëfinalen e Europa League, duke shënuar një arritje historike për futbollin norvegjez.
Pavarësisht eliminimit, trajneri Baroni u shpreh krenar për ekipin e tij:
“Na vjen keq, sepse e meritonim kalimin. Ekipi zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer dhe atmosfera ishte fantastike. Krijuam raste dhe luftuam deri në fund. Jam krenar për djemtë dhe për publikun”, tha Baroni pas ndeshjes.
Një rrugëtim evropian që përfundon këtu për Lazion, por që la pas një paraqitje dinjitoze dhe emocione të mëdha për tifozët.