KryesoreLajme

Landfilli i paligjshëm në Hardhishtë/ Skandali i heshtur i mbetjeve në Bashkinë Shijak

Emisioni investigativ “Piranjat” sjell denoncimin e fundit nga Bashkia e Shijakut, e cila në bashkëpunim me firmën private AMR, ka krijuar në fshatin Hardhishtë, një landfill të paligjshëm, ku hidhen dhe groposen të gjitha mbeturinat e qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, gjatë një përballje me gazetarin Freard Rista, deklaroi se sipas specifikave të tenderit, mbetjet depozitohen në landfillin e Sharrës duke mohuar krimin mjedisor që po bëhet në fshatin Hardhishtë. Në atë zonë, eskavatori i Bashkisë së Shijakut hap gropa për hedhjen e mbeturinave, ndërsa mjetet e firmës private shkojnë aty dhe i shkarkojnë. Por jo vetëm mbetjet e qytetit, por edhe mbetjet e subjekteve private të interesuara për të pastruar zonën e tyre.

Sa i takon tenderit për “Shërbim pastrimi, grumbullimi dhe depozitim të mbetjeve urbane dhe mirëmbajtje të hapësirave publike dhe varrezave të qytetit”, me fond limit mbi 1.2 miliardë lekë të vjetra pa tvsh, ai është me flamur të kuq për mungesë konkurence, sepse firma AMR është firma e vetme pjesëmarrëse në garë, dhe bashkia i ka pranuar ofertën, 99.7% të fondit limit të vendosur.

Firma private ka parashikuar vendosjen e 341 kontenierëve dhe zbrazjen e mbetjeve çdo ditë me tonelata, por këto parashikime nuk i përshtaten kompanisë private, e cila ka në dispozicion vetëm 4 mjete për këtë proces. Gjithashtu burimet njerëzore përbëhen nga 30 punonjës, një staf i vogël që nuk dihet se si do të përballojë pastrimin e gjithë sipërfaqes së Bashkisë Shijak, duke llogaritur edhe fshatrat.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button