
Vazhdimi i seancës për konstituimin e përbërjes së legjislaturës së re, e cila ka dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, do të mbahet të enjten në orën 12:00, thuhet në kalendarin e Kuvendit të Kosovës.
Seanca, e ndërprerë të martën, duhej të vazhdonte brenda 48 orëve nga ndërprerja, dhe vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi që ajo të vazhdonte në përputhje me ligjet.
Të mërkurën më herët, Osmani tha në përgjigjen e saj për kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, se“…Funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të mveshur me autoritet publik”.Vetëm pas konstituimit të Kuvendit, do të mund të bëheshin hapa drejt formimit të Qeverisë së re të Kosovës.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.
Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.
Mandat kanë siguruar edhe deputetë nga koalicioni parazgjedhor midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA.
Nga të gjitha këto parti opozitare, “vija të kuqe” për koalicion të mundshëm me LVV-në nuk ka vendosur vetëm Fatmir Limaj, kreu i Nismës