Kosova

Kurti ofron dy kompromise për zhbllokimin e komisionit, kritikon opozitën për refuzimin e votimit të fshehtë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se mbetet i gatshëm për takime, konsultime konstruktive dhe bashkëpunim në mirëbesim, ndërsa ka kritikuar opozitën për kundërshtimin e votimit të fshehtë si mjet për zgjidhjen e ngërçit aktual parlamentar rreth komisionit të përkohshëm.

Gjatë një deklarate për media pas vendosjes së gurthemelit të një çerdheje në Prishtinë, Kurti bëri të ditur se ka ofruar dy alternativa konkrete për arritjen e një kompromisi me opozitën.

“Unë gjithmonë jam i gatshëm për takime, për konsultime konstruktive, për bashkëpunim në mirëbesim dhe gjithashtu për konsensus dhe kompromise. Kam ofruar dy kompromise”, tha Kurti.

Sipas tij, alternativa e parë është që partitë politike të delegojnë përfaqësuesit e tyre dhe nëse nuk e dëshirojnë votimin e fshehtë, atëherë të votohet rrëzimi i komisionit.

“Me bojkot nuk shkohet përpara… pa votë nuk rrëzohet”, theksoi ai.

Kompromisi i dytë, siç tha Kurti, vjen nga kandidatja e propozuar nga Vetëvendosje për kryetare të komisionit, Albulena Haxhiu.

“Ajo ka deklaruar të premten se, nëse nuk votohet me votim të fshehtë, nuk do të pranojë të votohet dy herë për të, pra, do të tërhiqet. Le ta provojnë votimin e fshehtë: ose fiton Albulena, ose ne sjellim një emër tjetër”, u shpreh Kurti.

Ai kritikoi qëndrimin e partive opozitare ndaj votimit të fshehtë, duke e krahasuar atë me procesin zgjedhor të 14 shkurtit 2021.

“Nuk e kuptoj pse gjithë kjo rezistencë ndaj votimit të fshehtë, kur qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë votuar në mënyrë të lirë e demokratike me votë të fshehtë, dhe kanë bërë Vetëvendosjen fituese”, tha ai, duke përkujtuar se VV aktualisht ka 48 deputetë, më shumë se PDK dhe LDK së bashku.

“Ky është fakt i jetës, fakt demokratik, me të cilin duhet të pajtohen”, përfundoi Kurti.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button