Kurti nuk jep përgjigje për qeverinë e përkohshme, Kosova ende pa institucione pas tetë muajsh

Kryeministri në detyrë dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka pranuar të komentojë mbi mundësitë e formimit të qeverisë së përkohshme, ide e propozuar nga partnerja e tij e koalicionit, Mimoza Kusari-Lila.
Kurti ka heshtur gjithashtu kur u pyet për angazhimin e tij në formimin e qeverisë së re. Kosova vazhdon të mos ketë institucione të reja, më shumë se tetë muaj pas zgjedhjeve të fundit.
Gjykata Kushtetuese më 30 shtator ka njoftuar se seanca konstituive e Kuvendit, që nisi më 15 prill, nuk ka përfunduar, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb. Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda 12 ditëve nga publikimi i aktgjykimit të plotë, pa specifikuar pasojat juridike në rast të mosplotësimit.
Ky vendim erdhi pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin e ndarë të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga komunitetet jo shumicë.
/kp



