Kupchan: SHBA mund të riangazhohet në dialogun Kosovë-Serbi, Trump mund të thërrasë liderët në Zyrën Ovale

Në muajt e ardhshëm pritet një riangazhim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, përfshirë mundësinë e organizimit të një takimi në Zyrën Ovale mes liderëve të dy vendeve. Këtë e ka paralajmëruar Charles Kupchan nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA dhe ish-këshilltar i presidentit Barack Obama.
Gjatë një interviste për emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Kupchan deklaroi se një marrëveshje e vështirë, por e mundshme, mes Kosovës dhe Serbisë mbetet ende në tavolinë, megjithëse mungon nënshkrimi i saj. “Mendoj se do të shihni një riangazhim të Uashingtonit në dialog dhe Trump mund të sjellë liderët e të dy vendeve në Zyrën Ovale. Ai e sheh veten si paqebërës,” tha Kupchan.
Ai e vlerësoi situatën aktuale si të ndërlikuar për shkak të mungesës së stabilitetit politik në Prishtinë dhe Beograd. Kupchan theksoi se edhe pse kryeministri Kurti ka ndërmarrë veprime në përputhje me të drejtën e Kosovës për sovranitet, disa prej tyre ishin provokative dhe penguan përparimin e dialogut. “Por përgjegjësia kryesore për stagnimin e procesit është e Serbisë, që ka tërhequr këmbën zvarrë,” tha ai.
Eksperti amerikan shprehu optimizëm për të ardhmen e rajonit, duke parashikuar integrimin e plotë të Ballkanit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ai shtoi se nuk sheh rikthim të konflikteve të gjera, por theksoi se diplomacia e SHBA-së dhe BE-së është thelbësore për të çuar përpara procesin e paqes.
“Në Ballkan ka ende shumë punë për të bërë. Prishtina ka shënuar përparim të madh, por marrëdhëniet me Serbinë mbeten të dobëta. Rusia vazhdon të shfrytëzojë boshllëqet në rajon, veçanërisht përmes ndikimit në Serbi dhe Republika Srpska. Megjithatë, unë jam optimist për një rezultat përfundimtar pozitiv,” përfundoi Kupchan.