Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, Prit Shoqatën Patriotike “Çamëria” Dega Kosovë

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, i shoqëruar nga kryetari i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, Liljan Idrizaj, dhe anëtarë të partisë, priti në selinë e PDIU-së Shoqatën Patriotike “Çamëria”, dega Kosovë, në një takim të ngrohtë dhe konstruktiv.
Gjatë fjalës së tij, Idrizi vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Shoqatës Patriotike “Çamëria” dhe PDIU-së, duke theksuar se ky bashkëpunim ka mbajtur gjallë jo vetëm lidhjet me shoqatën në Shqipëri, por edhe çështjen e shqiptarëve të Çamërisë në Kosovë. Ai gjithashtu përmendi mbështetjen e vazhdueshme që Shoqata e Kosovës ka dhënë për PDIU-në dhe programin e saj, edhe gjatë periudhës zgjedhore.
Idrizi theksoi rëndësinë e një platforme të përbashkët për të dy shtetet, Shqipëri dhe Kosovë, duke ftuar për ndërtimin e urave të bashkëpunimit që do të kontribuonin në zhvillimin dhe prosperitetin e dy vendeve, ndërsa ruanin identitetin kombëtar, gjuhën, kulturën dhe traditat. Ai theksoi se bashkimi kombëtar nuk është vetëm një aspiratë kushtetuese, por një domosdoshmëri për të siguruar një sinergji të fortë, sidomos në aspektin ekonomik dhe politik.
Duke folur për situatën ndërkombëtare, Idrizi ngriti shqetësimin për agresivitetin e Serbisë ndaj Kosovës dhe mbajtjen e Ligjit të Luftës nga Greqia. Ai përmendi rëndësinë e kërkesës së PDIU-së për heqjen e këtij ligji, duke e quajtur atë një “marrëzi historike”.
Në fund, ai komentoi edhe mbi reagimet e tepërta në rrjetet sociale pas incidentit në Big Brother Albania, ku një konkurrues shqiptar dha një shuplakë për një konkurrues nga Kosova. Idrizi shprehu shqetësimin se këto incidente mund të përdoren për të thelluar ndasitë mes shqiptarëve, duke thënë se “vetëm ne mund të hymë në këtë idiotësi kaq kollaj të rrezikshme.”
Nga ana e tij, kryetari i Shoqatës Patriotike “Çamëria” dega Kosovë, Besim Dinolli, e cilësoi këtë vizitë si një mbështetje të hapur për PDIU-në dhe për kandidaturën e Shpëtim Idrizit dhe Liljan Idrizajt në zgjedhjet e 11 majit.