Kroacia u bën thirrje qytetarëve të saj të shmangin udhëtimet drejt Serbisë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë (MVEP) ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët kroatë, duke u rekomanduar shtyrjen e të gjitha udhëtimeve jo të domosdoshme drejt Serbisë, për shkak të situatës së tensionuar politike dhe sociale në këtë vend.
Në një njoftim zyrtar të publikuar sot, MVEP kërkon që qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin nga afër zhvillimet aktuale dhe të informohen detajisht përpara se të vendosin të udhëtojnë.
“Sidomos në dritën e sjelljeve të papërshtatshme dhe të pabazuara nga ana e autoriteteve të Republikës së Serbisë ndaj shtetasve kroatë, qytetarëve u kërkohet vigjilencë dhe shmangie e vendeve ku grumbullohet një numër i madh njerëzish”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Autoritetet kroate theksojnë gjithashtu se protestat qytetare që po mbahen ditëve të fundit në Serbi kanë shkaktuar bllokime të rastësishme të rrugëve, duke krijuar pasiguri në komunikacion dhe vështirësi të paparashikueshme për udhëtarët.
Në rast situatash urgjente jashtë orarit zyrtar, qytetarët kroatë janë të ftuar të kontaktojnë Ambasadën e Republikës së Kroacisë në Beograd përmes numrit emergjent: 0038163485757.
Nga ana tjetër, MVEP thekson se vendimi për të udhëtuar mbetet përgjegjësi personale e çdo individi, ndërsa paralajmërimet për udhëtim janë të natyrës këshilluese.
Situata në Serbi është tensionuar pas protestës së madhe të mbajtur më 28 qershor nga studentët dhe opozita, të cilët kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Pas thirrjeve për “mosbindje civile”, janë organizuar bllokada rrugësh në disa pjesë të vendit. Ndërhyrja e policisë me arrestime dhe dhunë, ka nxitur kritika të forta ndaj qeverisë, e cila po akuzohet për përdorim brutal të forcës ndaj protestuesve.
Gjithashtu, Serbia ka dëbuar disa artistë dhe qytetarë nga vendet fqinje që kanë shprehur mbështetje për protestat, duke shtuar më tej tensionet rajonale.