
Kriza institucionale që ka zgjatur tashmë gati pesë muaj ka goditur funksionimin e një numri institucionesh të pavarura në vend. Si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, disa borde kanë mbetur jofunksionale, duke shkaktuar vonesa në vendimmarrje.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është ndër institucionet e prekura. Nga ky organ bëjnë të ditur se edhe pse mandati i disa anëtarëve ka skaduar, Zyra Ekzekutive po vazhdon me kryerjen e detyrave të përditshme.
“Aktualisht KPM ka mbetur pa kuorum për shkak të skadimit të mandateve të disa prej anëtarëve. Vonesa në konstituimin e Kuvendit po krijon grumbullim të lëndëve që kërkojnë vendimmarrje. Megjithatë, Plani i Punës për vitin 2025 po zbatohet me efikasitet”, deklaroi për RTV21 zyrtari i KPM-së, Dreshaj.
Nga bllokada nuk ka shpëtuar asnjë prej institucioneve të tjera kyçe. Gjykata Kushtetuese, Fondi i Kursimeve Pensionale, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, RTK-ja dhe Autoriteti i Konkurrencës janë vetëm disa prej organeve që aktualisht funksionojnë me mungesa ose kanë mbetur të paralizuara.
Instituti i Kosovës për Drejtësi paralajmëron pasoja serioze dhe të pariparueshme.
“Mbi 17 organe po funksionojnë me borde jo të plota ose janë të paralizuara. Pa miratimin e buxhetit rrezikohen edhe projektet e vitit 2026”, tha për media përfaqësuesi i IKD-së, Jakaj.
Politologu Erblin Hoxha nga Oda Consulting theksoi se vonesa në formimin e institucioneve vetëm sa e thellon krizën.
“Çdo ditë pa qeveri është përkeqësim i situatës për qytetarët. Çdo vonesë e re nuk është në të mirë të tyre”, u shpreh Hoxha.
Aktualisht, Kuvendi i Kosovës është në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila deri më 30 shtator ka vendosur masë të përkohshme që ndalon çdo veprim të deputetëve dhe procedurë për formimin e qeverisë.