Kosova

Kriza institucionale në Kuvendin e Kosovës: VV dështon sërish të zgjedhë Albulena Haxhiun kryetare

Seanca e Kuvendit të Kosovës e mbajtur dje ka përfunduar pa votim për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, pasi Lëvizja Vetëvendosje vendosi të mos e procedojë në votim kandidaturën e Albulena Haxhiut. Nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, kërkoi shtyrjen e seancës për të arritur një marrëveshje me partitë e tjera politike. Seanca pritet të vazhdojë të mërkurën, më 24 prill, në orën 10:00.

Partitë opozitare, PDK dhe LDK, kanë kërkuar nga Vetëvendosje që të propozojë një emër të ri, duke e bërë të qartë se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se Haxhiu është simbol i dështimeve të qeverisë dhe se kandidatura e saj vetëm sa po e thellon bllokadën institucionale.

“VV ka të drejtë të propozojë kryetarin e Kuvendit, por jo ta imponojë atë. Emri i Albulena Haxhiut ka dështuar disa herë dhe do të dështojë sërish,” tha Krasniqi, duke shtuar se zgjedhjet e reja janë një opsion real nëse nuk gjendet një zgjidhje.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Vetëvendosjes, si Hekuran Murati dhe Mimoza Kusari-Lila, kanë insistuar që kandidatura për kryetar Kuvendi t’i takon partisë fituese, dhe se partitë tjera duhet të reflektojnë dhe të mbështesin propozimin e tyre.

“Emri mbetet i njëjtë. Besojmë se si për raportin e mandatimit, edhe për këtë çështje duhet të arrihet konsensus,” u shpreh Murati.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar Vetëvendosjen se po shkel rregulloren e Kuvendit dhe po mungon vullneti për një marrëveshje politike. Sipas saj, VV-ja duhet të dëgjojë partitë e tjera dhe të propozojë një kandidat që mund të marrë mbështetje më të gjerë.

Kjo ishte tentativa e pestë për të konstituuar Kuvendin, por pa sukses. Mbledhja e radhës do të mbahet të mërkurën, ku mbetet për t’u parë nëse do të gjendet një kompromis apo vendi do të përballet me një krizë të thellë politike.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button