Kosova
Kryesore

KQZ synon publikimin e dy llojeve të rezultateve preliminare më 12 tetor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në zgjedhjet e 12 tetorit planifikon të transmetojë dy lloje të rezultateve preliminare: ato për kandidatët për kryetarë komunash dhe rezultatet e subjekteve politike për kuvendet komunale.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Radio Kosovën se po punohet për të shmangur vonesat e ngjashme me ato të zgjedhjeve të 9 shkurtit, kur pati probleme me publikimin e rezultateve. Ai theksoi se aktualisht KQZ është në fazën përgatitore dhe po adreson sfidat e evidentuara më herët.

“Sipas ligjit, numërimi i votave të kandidatëve për kryetarë bëhet në vendvotime, ndërsa për kuvendet komunale numërimi i votave të subjekteve bëhet po në vendvotime, kurse i kandidatëve në Qendrat Komunale të Numërimit”, deklaroi Elezi.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas raportit të koalicionit të OJQ-ve Demokracia në Veprim, procesi ishte shoqëruar me parregullsi procedurale dhe probleme teknike me sistemin elektronik të publikimit të rezultateve. Këto defekte krijuan konfuzion dhe ulën besimin e publikut në transparencën e procesit.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës shpresojnë që KQZ këtë herë të marrë parasysh rekomandimet teknike për të garantuar një proces më të besueshëm.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button