Lajme

KQZ qetëson shqiptarët në diasporë: Pezullimi i dërgesave nga DHL nuk prek fletët e votimit

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas raportimeve për pezullimin e përkohshëm të dërgesave drejt SHBA nga kompania DHL Express, duke garantuar se ky vendim nuk ndikon aspak në procesin e dërgimit të fletëve të votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Në një deklaratë për media, KQZ sqaron se zarfi që përmban fletën e votimit konsiderohet dokument dhe nuk ka vlerë doganore, ndaj nuk i nënshtrohet masave të reja të vendosura për mallrat me vlerë të lartë. “Çdo masë e përkohshme që mund të merret lidhur me ndryshimin e tarifave dhe ndryshimin e veprimeve doganore për mallrat me vlerë të lartë nuk ka lidhje me dokumentet. Në këtë kuptim, shqetësimi i ngritur nuk ka ndikim apo lidhje me dërgesat e dokumentacionit zgjedhor që janë nisur nga KQZ drejt zgjedhësve”, thuhet në reagimin e institucionit.

Reagimi i KQZ vjen pasi DHL Express njoftoi pezullimin e përkohshëm të dërgesave drejt SHBA për mallrat me vlerë mbi 800 dollarë, si pasojë e një regjimi të ri tarifor të vendosur nga ish-presidenti amerikan Donald Trump. Sipas BBC, më parë ky prag ishte 2,500 dollarë, por është ulur në kuadër të masave të reja të kontrollit doganor. Megjithatë, DHL do të vazhdojë të dërgojë pako me vlerë nën 800 dollarë.

KQZ garanton se procesi i votimit të shqiptarëve në diasporë vijon normalisht dhe nuk do të ketë asnjë vonesë apo pengesë për shkak të këtij vendimi të DHL-së.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button