KQZ mban sot mbledhjen për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për Zgjedhjet Lokale 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mban sot nga ora 10:00 mbledhjen e radhës, ku në rend dite është certifikimi i grupit të tretë të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale, të cilat do të zhvillohen më 12 tetor 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se në këtë fazë për certifikim janë 41 subjekte politike, prej tyre 27 iniciativa qytetare, me gjithsej 444 kandidatë – 25 për Kryetarë Komunash dhe 419 për Kuvende Komunale.
Në rend dite për certifikim janë disa iniciativa qytetare, përfshirë Iniciativa Shqiptare Mogill Kllokot, URA, Srpska Narodna Sloga, E Vërteta, Lidhja e Prishtinës, Aleanca Shqiptare, Lëvizja e Pavarur e Kaçanikut, Ndryshe – UDK, Forca e Re Kombëtare, Vizion për Zhvillimin e Kaçanikut, Iniciativa për Mitrovicën e Veriut, Bashkimi Demokratik i Prizrenit, Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve, Për Drenas e Kosovë, si dhe dhjetëra të tjera.
Gjithashtu, në këtë grup për certifikim janë edhe 15 kandidatë të pavarur, mes tyre Xhavit Murati, Arbër Emini, Agron Kajtazi, Rrahim Morina, Granit Prestreshi, Lulzim Syla, Shqipe Muja, Gani Veselaj, Ahmet Vishi, Selajdin Bytyçi dhe të tjerë.
Në kuadër të mbledhjes, KQZ do të shqyrtojë edhe:
Udhëzuesin për lirimin e kutive me materiale zgjedhore;
Programin e Vëzhguesve Ndërkombëtarë për Zgjedhjet Lokale 2025.
Mbledhja drejtohet nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Me këtë vendim pritet të përmbyllet faza e tretë e certifikimit të subjekteve dhe kandidatëve për zgjedhjet e 12 tetorit.