Kosova

Kosova përballet me rrezikun e radikalizmit online

Ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë nuk lidhet më drejtpërdrejt me frontet e luftës në Lindjen e Mesme, por me hapësirën online, ku rrjetet sociale po përdoren për përhapjen e ideologjive radikale.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se aktualisht janë duke u hetuar dy raste të propagandës pro-ISIS dhe janë ngritur dy aktakuza për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Në gusht, dy persona u akuzuan se përmes Facebook-ut kanë shpërndarë materiale me përmbajtje nxitëse, ndërsa muajin e kaluar një tjetër u dënua me gjashtë muaj burg.

Ekspertët paralajmërojnë se kërcënimi nuk kufizohet vetëm tek ideologjitë fetare, por edhe tek ultranacionalizmi që maskohet si “patriotizëm i flaktë”. Adrian Shtuni nga Qendra Ndërkombëtare kundër Terrorizmit thekson se Kosova është e cenueshme për shkak të tensioneve politike e ndëretnike, ndërsa Skënder Perteshi nga Instituti “Prevent” shton se rrjetet sociale janë mjeti kryesor i shpërndarjes së propagandës, duke shënjestruar kryesisht të rinjtë.

Sipas Bashkësisë Islame, propaganduesit online shpesh ofrojnë interpretime të ngurta që keqinformojnë besimtarët dhe nxisin radikalizëm.

Raportet tregojnë se grupet ekstremiste po përdorin edhe inteligjencën artificiale për të krijuar tekste, imazhe e video që tërheqin publikun e ri. Platformat më të përdorura janë Facebook, TikTok dhe Telegram.

Megjithëse Kosova ka miratuar Strategjinë për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit 2023–2028, disa analistë paralajmërojnë se vëmendja e institucioneve është më e përqendruar te çështjet politike me Serbinë, duke lënë pas dore rrezikun e ekstremizmit fetar.

Ekspertët thonë se strategjia më efektive është ulja e tensioneve politike dhe forcimi i edukimit qytetar e digjital, në mënyrë që të rinjtë të mos bien pre e propagandës radikale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button