Kosova në kufi të varfërisë energjetike, INDEP propozon masa urgjente për komunitetet e energjisë

Kosova po përballet me rrezikun e varfërisë energjetike për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, paralajmëroi drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi, gjatë tryezës së diskutimit të projektit “Varfëria energjetike në Kosovë II”.
Ejupi theksoi se nëse tarifat e energjisë vazhdojnë të rriten, ndërsa pagat mbeten të pandryshuara, vendi mund të kthehet në nivelin e varfërisë energjetike të vitit 2007.
Në këtë tryezë, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare diskutuan mënyrat për të përshpejtuar tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e komuniteteve të energjisë në Kosovë. Besiana Qorraj-Berisha nga Ministria e Ekonomisë tha se strategjia e energjisë për periudhën 2022–2031 synon promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Granit Gashi nga Heinrich-Böll-Stiftung theksoi rëndësinë e krijimit të kornizave ligjore që mundësojnë tranzicionin energjetik, ndërsa ekspertja për zhvillim të kapaciteteve, Lindita Daija, nënvizoi nevojën për përmirësime në legjislacionin sekondar dhe organizimin e komiteteve të energjisë.
Ekspertja e burimeve të energjisë, Zanfina Kabashi, theksoi se Kosova ka potencial të madh për zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, por pa rregullore të qarta dhe mekanizma financiarë, komunitetet e energjisë rrezikojnë të mbeten vetëm në letër.
Raporti i INDEP-it “Komunitetet e energjisë dhe varfëria energjetike në Kosovë” përmban disa rekomandime, përfshirë:
Krijimin e një grupi të përbashkët pune nga Ministria e Ekonomisë dhe Zyra e Rregullatorit për Energji brenda gjashtë muajve, për të plotësuar bazën ligjore për komunitetet e energjisë.
Hartimin e një Programi Kombëtar për Decentralizimin e Prodhimit të Energjisë brenda 12 muajve, ku komunitetet e energjisë të kenë rol qendror.
Publikimin e një harte kombëtare nga ZRRE dhe KOSTT brenda 18 muajve që përfshin kapacitetet e rrjetit, afërsinë me nënstacionet, pikat e ngarkesës, kufizimet teknike dhe shpërndarjen territoriale të varfërisë energjetike.
Ekspertët paralajmërojnë se zbatimi i këtyre masave është kyç për të shmangur rritjen e varfërisë energjetike dhe për të zhvilluar një sistem energjetik më të qëndrueshëm në Kosovë.