KOMF: Prindërit kanë rol kyç në edukimin e sjelljeve të fëmijëve

Dhuna mes bashkëmoshatarëve po bëhet një dukuri gjithnjë e më shqetësuese, ndërsa fëmijët po e perceptojnë atë si një sjellje të pranueshme. Ky paralajmërim vjen nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, i cili i bën thirrje prindërve dhe familjeve të angazhohen më shumë në edukimin e fëmijëve për të jetuar pa dhunë.
“Ky është një alarm serioz që kërkon reagim të menjëhershëm, jo vetëm nga institucionet apo shkollat, por mbi të gjitha nga vetë familjet. Pikërisht në mjedisin familjar fëmijët formojnë sjelljet dhe vlerat e tyre themelore,” thekson KOMF.
Organizata sugjeron që prindërit të ndërmarrin hapa konkretë për parandalimin e dhunës, duke komunikuar hapur me fëmijët dhe duke shërbyer si modele sjelljeje. “Ndani kohë për biseda të ndershme me fëmijët rreth dhunës dhe ndikimit të saj. Promovoni sjellje të qeta dhe respektuese në marrëdhënie me të tjerët. Kontrolloni përmbajtjen që fëmijët ndjekin në rrjete sociale dhe orientoni përdorimin e tyre drejt vlerave pozitive,” shton KOMF.
Bashkëpunim me shkollën dhe mbështetje profesionale
Përveç rolit të familjes, KOMF nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit me shkollat dhe kërkimin e ndihmës profesionale kur fëmijët përballen me sfida emocionale. “Prindërit duhet të jenë të angazhuar në jetën shkollore të fëmijëve dhe të kërkojnë ndihmë nga profesionistët kur shfaqen shqetësime si stresi, ankthi apo sjelljet agresive,” thekson organizata.
KOMF përfundon duke nënvizuar se çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një ambient të sigurt dhe të mbrojtur. “Përmes komunikimit të hapur dhe edukimit për modele tolerante dhe konstruktive, ne mund të ndërtojmë një shoqëri ku fëmijët ndihen të sigurt, të respektuar dhe të mbrojtur,” përfundon deklarata.