Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ngushëllon për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut: “I përjetshëm kujtimi i tij”

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar me dhimbje për ndarjen nga jeta të Papës së Romës, Françeskut. Në një deklaratë zyrtare, ajo ka shprehur ngushëllimet e saj të sinqerta ndaj klerit dhe besimtarëve të Kishës Katolike, duke vlerësuar kontributin e Papës në shpalljen e Ungjillit dhe angazhimin e tij për të varfërit dhe të margjinalizuarit.
“Gjatë misionit të tij si prift, peshkop dhe Papë, ai gjithmonë tregoi një përkushtim të thellë ndaj shpalljes së Ungjillit në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore,” thuhet në reagimin e Kishës Ortodokse, e cila nënvizon gjithashtu përpjekjet e Papës Françesku për afrimin e Kishave Ortodokse dhe Katolike.
Kisha sjell në kujtesë fjalët frymëzuese të Papës: “Ecim së bashku si vëllezër në rrugën e mëshirës dhe të dashurisë”, të cilat i ka ndarë gjatë takimeve me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse.
Duke u mbështetur në fjalët e Shkrimit të Shenjtë nga Zbulesa 21:4, Kisha Ortodokse lutet që shpirti i Papa Françeskut të prehet në paqe, ndërsa e përfundon mesazhin e saj me urimin tradicional: “I përjetshëm kujtimi i tij!”