Show biz

Kim Kardashian përhap teori konspirative për zbritjen në Hënë, NASA reagon menjëherë

Në një episod të ri të serialit “The Kardashians” në Hulu, Kim Kardashian ka bërë një deklaratë që ka shkaktuar reagime të shumta, madje edhe nga kreu i përkohshëm i NASA-s. Ajo tha se beson se zbritja historike në Hënë e misionit Apollo 11 në vitin 1969 ishte e sajuar.

Kardashian, e cila ndiqet nga miliona njerëz në rrjete sociale, tha se ishte bindur pasi kishte parë një video në internet, ku pretendonte se astronauti Buzz Aldrin kishte pranuar se zbritja nuk kishte ndodhur. “E pashë një intervistë të Aldrin-it dhe nga mënyra si foli, m’u duk sikur po thoshte se nuk ndodhi kurrë”, tha Kim në episod.

Deklarata e saj bëri që Sean Duffy, Sekretari i Transportit i SHBA-së dhe administratori i përkohshëm i NASA-s, të reagojë menjëherë. Ai shkroi në platformën X:

“Po, Kim Kardashian, ne kemi qenë në Hënë… gjashtë herë!”

Duffy shtoi se Shtetet e Bashkuara do të rikthehen në Hënë në vitin 2026 përmes misionit Artemis II, që do të dërgojë astronautë në një udhëtim 10-ditor rreth Hënës, ndërsa një ulje e re në sipërfaqen e saj është planifikuar për vitin 2027.

“Ne fituam garën e fundit hapësinore dhe do ta fitojmë edhe këtë,” shkroi ai.

Në fakt, komentet e Aldrin-it, të cilave iu referua Kardashian, janë nxjerrë jashtë kontekstit. Ato i përkasin një interviste të vitit 2015 në Oxford Union, ku ai u pyet se cili ishte “momenti më i frikshëm” gjatë udhëtimit në Hënë. Aldrin kishte përgjigjur me humor:

“Më i frikshmi? Nuk ndodhi. Mund të kishte qenë i frikshëm.”

Në realitet, ai kishte nënkuptuar se gjatë misionit nuk kishte ndodhur asgjë e rrezikshme, por përgjigjja e tij u keqinterpretua në internet dhe më pas u përhap si “provë” për teoritë konspirative.

Zbritja në Hënë më 20 korrik 1969 mbetet një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit, e ndjekur drejtpërdrejt nga dhjetëra miliona shikues në mbarë botën. Megjithatë, teoritë që e mohojnë këtë ngjarje vazhdojnë të qarkullojnë, tashmë të përforcuara edhe nga emra të njohur si Kim Kardashian.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button