Lajme
Kryesore

Ilir Meta nga burgu: Pensionistët janë kategoria më e përjashtuar, do të marrin minimumin jetik 200 euro në muaj

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar me një shënim nga burgu, duke vënë në fokus gjendjen e rëndë ekonomike të pensionistëve në Shqipëri. Në mesazhin e tij, ai e cilëson këtë kategori si më të diskriminuarën dhe më të përjashtuarën nga politika sociale e qeverisë Rama.

“Shifrat janë shokuese dhe tregojnë varfërinë dhe mjerimin e dhimbshëm të qindra mijëra pensionistëve,” shkruan Meta, duke theksuar se në 12 vitet e qeverisjes së Edi Ramës, pensionistët janë varfëruar në ekstrem.

Meta thekson se në programin “Shqipëria Madhështore”, pensionistët zënë një vend të veçantë përmes “Paketës së Dhembshurisë”. Sipas tij, brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së re, do të vendoset një minimum jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar, përfshirë çdo pensionist që aktualisht merr më pak.

Pikat kryesore të planit për pensionistët:

Çdo pensionist që merr më pak se 200 euro në muaj, do të përfitojë 200 euro.

Pensionet do të rriten me 20%.

Do të jepet “Karta e Konsumatorit”, që mundëson kthimin e TVSH-së për shpenzime bazë si ushqime, energji, ujë dhe ilaçe – përfitim deri në 450 euro në vit.

Personat me aftësi të kufizuara do të përfitojnë mbështetje shtetërore për kujdestarët dhe mjetet ndihmëse.

Çmimi i energjisë elektrike do të ulet në 7 lekë/kËh.

Do të falen të gjitha gjobat për energjinë elektrike dhe ujin për pensionistët.

Në përfundim të mesazhit, Meta bën thirrje për mbështetje në zgjedhje, duke u bërë thirrje qytetarëve të votojnë koalicionin “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” dhe vetë atë në Qarkun Tiranë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button