Kosova

Hovenier: Pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA është pasojë e frustrimeve ndaj Qeverisë Kurti

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën është një sinjal serioz dhe pasojë e grumbullimit të frustrimeve ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hovenier tha se veçanërisht ndikuan kritikat e Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilat në Uashington janë parë si të papajtueshme me parimet e një demokracie funksionale.

“Dialogu Strategjik do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën dhe është për keqardhje që nuk do të ndodhë. Kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi është ndërprerë, por një mundësi për ta forcuar atë, për momentin është ngrirë. Kjo duhet të tërheqë vëmendjen e të gjithëve që brengosen për fuqinë e marrëdhënies me SHBA-në”, tha ai.

Sipas Hovenier, SHBA-ja dhe partnerët evropianë kanë shprehur shqetësime të vazhdueshme për disa vendime të Qeverisë Kurti, që sipas tyre ndikojnë negativisht në stabilitetin rajonal.

Ai theksoi se pezullimi nuk do të thotë se Amerika po largohet nga Kosova, por është një mesazh i qartë për nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë me Uashingtonin:
“Pothuajse të gjitha sukseset ndërkombëtare të Kosovës kanë përfshirë mbështetjen aktive të SHBA-së. Prandaj, do të këshilloja udhëheqësit e Kosovës të mos ndërmarrin veprime që e dëmtojnë këtë partneritet.”

Më 12 shtator, SHBA-ja pezulloi zyrtarisht Dialogun Strategjik me Kosovën, duke përmendur si arsye rritjen e tensioneve dhe veprimet e Qeverisë në detyrë. Qeveria Kurti i hodhi poshtë kritikat, duke i cilësuar veprimet e saj “të ligjshme dhe në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button