Hetimet zbulojnë detaje të reja për vrasjen e Gjovalin Prendit dhe atentatin në Lundër

Hetimet për vrasjen e Gjovalin Prendit kanë zbuluar detaje të reja të cilat hedhin dritë mbi ngjarjen tragjike. Automjeti që dyshohet të jetë përdorur nga autorët e krimit, u gjet në Fushë Gjorm, më shumë se 12 orë pas ekzekutimit, por kishte shpërthyer dhe djegur plotësisht, duke mos lënë asnjë gjurmë.
Gjovalin Prendi u qëllua për vdekje para lokalit të tij në Pllanë të Lezhës. Më pak se një orë më vonë, në Lundër, ndodhi një atentat mafioz ku u plagosën djali dhe nipi i pronarit të kompanisë Pelikani Security, dy të mitur, një shok i tyre dhe shoferi i familjes. Policia dyshon se atentati në Lundër mund të ketë qenë rezultat i një ngatërrese shënjestrimi, me gruan e parë të Roan Brahimit si objektiv të mundshëm.
Gruaja e Brahimit është motra e Ilir Beqarajt, i cili është arrestuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas. Pas ngjarjes, dyshohet se Brahimi dhe e shoqja mund të kenë qenë të përfshirë në krimin e Bejtjas. Një muaj e gjysmë më vonë, Roan Brahimi u qëllua për vdekje në Greqi, duke shtuar më shumë mister në këtë ngjarje të ndërlikuar.