Gazi amerikan, Selmanaj: Është koha të marrin anë, a jeni me ShBA-të apo me Rusinë dhe Kinën?

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, ka bërë e dije se Kosova do të futet në aventura të rrezikshme, nëse nuk lidhet me projektin e gazit amerikan.
Ai ka bërë me dije se tani është koha që të merret anë.
Në profilin e tij në Facebook, Selmanaj ka shkruar se Kosova nuk ka luksin të qëndrojë në mes.
“Është koha me marrë anë! SHBA- të qartazi po na thonë: A jeni me SHBA-të dhe perëndimin apo me Rusinë dhe Kinën? Nëse këtë se ka kuptuar qeveria dhe subjektet opozitare, atëherë Kosova po futet në aventura që fundi do jetë me pasoja fatale për gjithë vendin! Kosova nuk ka luksin të qëndrojë në mes. Në një botë ku përplasja gjeopolitike po bëhet çdo ditë më e qartë, edhe ne duhet ta kemi të qartë orientimin tonë strategjik. Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm aleancë politike. Është themeli mbi të cilin është ndërtuar liria, pavarësia dhe siguria e Kosovës”, ka shkruar ai, duke folur edhe për Marrëveshjen e Uashingtonit.
“Prandaj, projektet si gazifikimi i Ballkanit dhe ndërtimi i rrjeteve të sigurta 5G që ishin pika qëndrore në marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar nga ish kryeministri Hoti me 4 shtator 2020, nuk duhen parë thjesht si projekte ekonomike apo teknologjike. Ato janë pjesë e një vizioni strategjik që e lidh Kosovën më fort me SHBA-të dhe botën perëndimore, duke kufizuar ndikimin rus dhe kinez në rajon. Sot, kur Evropa po punon për të reduktuar varësinë nga energjia ruse dhe po forcon sigurinë e saj strategjike, Kosova nuk duhet të mbetet anash. Çdo hezitim, kalkulim politik apo mungesë vizioni do t’i kushtojë vendit në planin afatgjatë”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Qeveria duhet ta kuptoj se ka tema që tejkalojnë interesat partiake. Orientimi euroatlantik i Kosovës nuk duhet të jetë objekt debati, por konsensus kombëtar. Një Kosovë e lidhur ngushtë me SHBA-të dhe aleatët perëndimorë është më e fortë, më e sigurt dhe më e përgatitur për sfidat e së ardhmes. Kjo është koha për vendime strategjike, jo për paqartësi. Prandaj është domosdoshmëri kombëtare, konsensusi nacional kundër kujtdo që e refuzon këtë orientim strategjik të shtetit tonë!”, ka shkruar Selmanaj.



