
Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, komentoi goditjen ndaj kolegut të tij Elton Qyno, duke thënë se ajo ndodhi në një kohë kur Qyno po publikonte fakte që lidhin krimin me pushtetin.
Sipas Hoxhës, Qyno po dokumentonte përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhjet e vitit 2021 dhe mënyrën si u sigurua mandati i tretë. Ai theksoi se gazetari nuk po bënte analizë politike, por thjesht po tregonte fakte që të çonin drejt një të vërtete shqetësuese.
Hoxha përmendi edhe deklaratën e Nuredin Dumanit: “Do ta ndezim flakë Kukësin për zgjedhje?”, si dëshmi e përfshirjes së krimit në procesin zgjedhor. Ai kritikoi mungesën e hetimeve për krimet elektorale, pavarësisht provave dhe burgosjes së disa grupeve kriminale. Gazetari u ndal edhe te presioni ndaj gazetarëve investigativë dhe kontrolli që, sipas tij, pushteti ushtron mbi median. Gjithashtu, ai tha se në rastin e institucioneve që flasin për zbatimin e ligjit, kemi të bëjmë me hipokrizi, pasi vetë janë kapur në shkelje flagrante.
Hoxha: Goditja ndaj Elton Qynos është bërë në një moment kur Eltoni po publikonte të dhëna të cilat po tregonin lidhjet e grupeve kriminale me pushtetin dhe sidomos përfshirjen e tyre në procesin zgjedhor 2021.
Pra, po tregonin si ishte marrë mandati i tretë. Eltoni në fakt po bënte detyrën si gazetar, po nxirrte thjesht faktet, nuk po i bënte interpretim as analitik as politik, siç po e bëj unë tani, por të gjitha ato që po nxirrte Eltoni në ato momente, të çonin drejt kësaj rrugë.
Madje dhe vetë Nuredin Dumani thotë: Do ta ndezim flakë Kukësin për zgjedhje?
Pra, ky ishte problem tjetër pse ishte nën shënjestër. Sepse kishim kapur litarin dhe litari pak nga pak, pak nga pak po na çonte atje ku ishte kapur litarin, dhe ky është një problem shumë i madh.
Asnjë nga organizatat që ndodhen sot në burg, ose grupet kriminale, që është tashmë e provuar e përfshirë në zgjedhjet e vitit 2021, nuk është hetuar për krime elektorale.
Dhe sot pashë një takim tjetër që ishte fantastik fare, kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, kreu i SPAK dhe kreu i KQZ raportonin për krime zgjedhore përballë ambasadorëve.
Kjo historia me burimet është e vjetër tek ne dhe mua më kanë marrë në studio live dhe më kanë mbajtur deri në orën 5 të mëngjesit, sepse nga telefoni kërkonin burimin.
Ne gazetarët e raportimit po merremi me botën e nëndheshme, s’po merremi me botën e mbidheshme.
Dhe pse erdhën tek ne? Ne po u nxirrnim atyre të vërtetën.
Zbatimi i ligjit, unë e dëgjoj me vëmendje kur thotë kreu i SPAK që kush s’ka shkelur ligjin nuk ka pse të ketë frikë, por edhe unë herë pas here i them atij: nëse nuk keni shkelur ligjin, nuk keni pse keni frikë. Por në rastin konkret jeni kapur në flagrancë, keni shkelur ligjin.
Sot ata e kontrollojnë median më shumë se ne, dhe ata japin informacion më shumë se ne.