
Gazetari Elton Qyno ka treguar me detaje përfshirjen e tij në një hetim të nisur nga SPAK, ku sipas tij, është bërë pjesë e një skenari për të njollosur figurën e tij dhe për të ndikuar në vendime gjyqësore të nivelit të lartë.
I ftuar në emisionin ‘Çim Peka Live’ në SYRI TV, Qyno theksoi se është hetuar për korrupsion pasiv në sektorin privat, së bashku me gazetarin Artan Hoxha, pa patur prova konkrete. Ai përshkroi gjithashtu momentin kur ishte thirrur në SPAK më 13 dhjetor, duke e cilësuar si një skenar të pazakontë, pasi sipas tij, ai qëndronte në zyrën e prokurorit në katin e dytë, ndërsa në katin e dytë bëhej gjyqi për lëshimin e urdhër kontrollit ndaj tij.
“U deshën disa biseda të personave të tjerë që të përfshihesha unë në këtë çështje penale. Nuk ka kode, nuk ka aplikacione sekrete, vetëm whatsapp dhe telegram,” tha Qyno, duke e quajtur të gjithë procesin një përpjekje për ta përfshirë në mënyrë të padrejtë në një hetim me qëllim baltosjen dhe presionin publik.
Elton Qyno: Çështjen tjetër që kam me SPAK, që është e hapur akoma është çështja ku jemi vënë nën hetim së bashku me Artan Hoxhën për korrupsion pasiv në sektorin privat dhe në sektor administrate. Por u desh që t’i bien gjithë skajit anembanë për të gjetur kodet e Elton Qynos.
Elton Qyno përveçse s’ka patur kode, por nuk ka patur as aplikacione sekrete, veçse një ëhatsapp dhe një telegram. U deshën disa biseda të personave të tjerë, të dytë apo të tretë që të përfshihej Elton Qyno në një çështje penale me qëllimin e vetëm që të baltosej Elton Qyno dhe nga ana tjetër të humbej gjyqi edhe në Gjykatën e Lartë dhe në Kushtetuese.
Realisht, kur ka ndodhur çështja e parë, kam pësuar një goditje sepse nuk e kisha pritur atë valën e sulmit. Ditën e 13 dhjetorit, edhe pse u bllokova aty brenda. Sigurisht, në atë godinë unë kam hyrë e kam dalë për shumë vite me radhe dhe nuk kisha atë emocionin pse ata po më mbanin atje brenda, dhe në momentin kur filluan të më kërkonin që do të zbatonin procedurën, mendova që do më mbanin aty 48 orë dhe do më lëshonin.
Por kur më kanë ardhur me tre vendime kontrolli, atëherë jam habitur dhe e kam parë veten ngushtë sepse të tre vendimeve të kontrollit nuk i thoshe dot më jo sepse duhet të ekzekutoheshin. Aq më tepër që 3 vendimet e kontrollit ishin marrë për 55 minuta, ndërkohë që unë isha lart, poshtë bëhej gjyq. Një procedurë që nuk ishte bërë ndonjëherë, jo në Shqipëri, por as në një vend të Europës apo botës, që gazetari mbahej lart në katin e dytë dhe në katin e parë bëhej gjyqi.
Dhe rrëmbehet gazetari, hipet në makinë, më çuan në shtëpi për të ekzekutuar vendimin e gjykatës. Dhe unë kam qenë në hava. Më vonë nga ora 1:30 kam dalë unë nga dyert e SPAK. Më thanë atje (në gjykatën Kushtetuese) që nuk provohet se ky është mbajtur në SPAK. Tani, si mund ta provoj unë që kam hyrë në shtëpinë tënde. Kamerat i kanë ata, le ti nxjerrin.
Unë vetë nuk e kam pritur që do kryheshin kontrolle.