
Pika kufitare e Kapshticës po përballet me një fluks të lartë të hyrjeve nga Greqia, kryesisht nga emigrantëve shqiptarë që kthehen në atdhe me rastin e festave të Pashkës.
Sipas informacioneve, pala greke po punon me 6 sportele në dalje, çka ka sjellë vonesa dhe radhë të gjata në hyrje. Ndërkohë, për të përballuar këtë situatë, pala shqiptare ka vendosur në funksion 7 sportele në hyrje, me synim për të përballuar fluksin.
Burimet nga pika kufitare bëjnë të ditur se vetëm nga ora 12:00 e mesditës së sotme deri në orët e pasdites, në territorin shqiptar kanë hyrë 6,489 persona dhe 2,678 mjete.
Autoritetet kufitare kanë hartuar një plan të posaçëm masash për të menaxhuar situatën, pasi pritet që mbrëmja e sotme dhe dita e nesërme të përfaqësojnë kulmin e fluksit në këtë fundjavë festive.