Ferizaj: Aktakuzë ndaj një personi nga Shtërpca për kanosje ndaj bashkëfshatarit

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.F., nga komuna e Shtërpcës, për veprën penale “Kanosja”, në bazë të nenit 181, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 15 tetor 2025, rreth orës 17:20, në fshatin Biti e Epërme, ku pas një mosmarrëveshjeje lidhur me rrugën pranë shtëpisë së tij, i pandehuri dyshohet se ka kanosur seriozisht me fjalë të dëmtuarin I.S.
Gjatë incidentit, R.F., duke lëvizur me automjet, kishte hyrë në pronën e të dëmtuarit dhe e kishte kërcënuar me fjalët:
“Ti po lypshe me të myt, o të mys apo don me dit”,
duke shkaktuar frikë dhe ndjenjë pasigurie te viktima.
Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.



