Kosova

Faton Peci pas takimit me Osmanin: Pas 30 ditësh ka paqartësi, mund të kërkohet interpretim nga Kushtetuesja

Kryetari i partisë Guxo, Faton Peci, është deklaruar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në kuadër të konsultimeve për tejkalimin e ngërçit politik që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Peci ka thënë se situata pas përfundimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit është e paqartë dhe vështirë e parashikueshme.

“E vërteta është se tash jemi bë të gjithë ekspertë të interpretimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, po them ‘ekspertë’ në thonjëza. Çështja është që ka paqartësi se cili do të jetë veprimi dhe nuk është lehtë i parashikueshëm se cilat do të jenë konsekuencat,” u shpreh ai.

Ai la të hapur mundësinë që presidentja Osmani t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim shtesë në lidhje me këtë situatë.

“Në një rrethanë të tillë ekziston mundësia që edhe presidentja t’i drejtohet Kushtetueses për të qartësuar tutje se çka ka dashtë në momentin kur e ka vendos afatin prej 30 ditësh,” shtoi Peci.

Në deklaratën e tij, ai theksoi se pozita e kryetarit të Kuvendit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve.

“Vullneti i qytetarëve ka qenë tepër i qartë, VV dhe partnerët e saj e kanë të garantuar vetëm një pozicion, ai pozicion është kryetari i Kuvendit. Çdo tentativë tjetër është përpjekje me blloku vendin,” theksoi ai.

Në fund, Peci bëri apel ndaj partive të ish-opozitës që të tregojnë përgjegjësi dhe të kontribuojnë në zhbllokimin e situatës.

“E shfrytëzoj rastin me i bë apel të gjithë partive politike, t’i thirrin arsyes, mendjes së shëndosh edhe të mundësojnë zgjedhjen dhe konstituimin e Kuvendit. Për shkak se vetëm kjo është mundësia qysh ne ta kemi një qeveri për 15 ditë, e në rast se ne nuk mundemi, do t’i jepet mundësia të tjerëve,” deklaroi ai.

Ngërçi politik në Kosovë vijon prej javësh, teksa Kuvendi nuk po arrin të konstituohet përkundër përpjekjeve të presidentes për ndërmjetësim ndërpartiak.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button