Elisa Spiropali uron Pashkët nga Katedralja e Shën Palit: “Të ecim përpara me dashuri dhe shpresë”

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, përcolli urimet e saj për festën e Pashkëve nga Katedralja e Shën Palit në kryeqytet, duke e cilësuar këtë ditë si një simbol të fuqishëm të fitores së jetës mbi vdekjen dhe të dashurisë mbi urrejtjen.
Në një atmosferë festive dhe të ngrohtë, Spiropali theksoi rëndësinë e bashkëjetesës fetare në Shqipëri dhe traditën e përbashkët të shqiptarëve për të festuar së bashku. “Kemi një traditë të bukur që festat i ndajmë bashkë, dhe në këtë atmosferë të gjithë gëzojmë dhe bëhemi bashkë për më shumë mesazhe shprese e bekimesh për të gjithë,” u shpreh ajo.
Duke folur për simbolikën e Pashkëve, Spiropali u ndal te mesazhi universal i festës: “Pashka është e bekuar sepse simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën dhe të dashurisë mbi urrejtjen. Është një thirrje për të ecur përpara me më shumë dashuri për njëri-tjetrin.”
Në fjalën e saj, ajo shprehu solidaritet me të pamundurit, të cilët në ditë të tilla kërkojnë shpresë për një të ardhme më të mirë, duke shtuar se edhe politika shqiptare duhet të marrë mesazhin e Pashkëve për të kapërcyer ndasitë dhe për të ndërtuar më shumë harmoni dhe unitet.
Spiropali vlerësoi gjithashtu harmoninë ndërfetare si një pasuri të vyer të kombit shqiptar. “Shqipëria është një vend ku toleranca fetare dhe vëllazëria mes njerëzve është kaq e vërtetë sa pasqyrohet edhe në festat, ku ne si politikanë përtej kaheve festojmë bashkë,” u shpreh ajo, duke nënvizuar nevojën për më shumë mesazhe shprese e bashkimi, si brenda shoqërisë ashtu edhe në jetën politike.
Festa e Pashkëve, përveçse një ngjarje shpirtërore, u kthye edhe në një moment reflektimi për nevojën e bashkëjetesës, mirëkuptimit dhe dashurisë mes njerëzve.