Lajme

Edi Rama nga Gjirokastra: Paga e mësuesve trefishuar, autoriteti i tyre është rikthyer

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me pensionistët në qytetin e Gjirokastrës, është ndalur tek transformimi i arsimit në Shqipëri, duke theksuar përmirësimet e ndjeshme në trajtimin e mësuesve dhe kushtet e punës së tyre. Ai kujtoi një periudhë të errët për arsimin, ku autoriteti i mësuesit, sipas tij, kishte rënë në nivelin më të ulët.

“Autoriteti i mësuesit kishte rënë në tokë. Mësuesit ishin pengje të halabakëve, të nxënësve të çoroditur, dhe nuk kishin siguri për vendin e punës,” u shpreh Rama. Ai vuri në dukje se sistemi arsimor dikur ishte i rrëmujshëm, me rreth 5000 mësues që jepnin lëndë jashtë profilit për shkak të lidhjeve personale.

Kryeministri theksoi se paga mesatare për mësuesit është rritur ndjeshëm, nga 330 euro që ishte dikur, në rreth 1000 euro aktualisht. Sipas tij, objektivi është që deri në vitin 2030 kjo pagë të arrijë në 1200 euro, si pjesë e një plani të detajuar për reformimin e arsimit në çdo aspekt.

Në fjalën e tij, Rama nuk kurseu kritikat ndaj paraardhësit të tij, Sali Berisha, duke e akuzuar për keqmenaxhimin ekonomik të vendit. “Sali Berisha e la Shqipërinë me borxhe, e la në gropë komplet. Ndryshimi në vitin 2013 e shpëtoi vendin nga kolapsi ekonomik,” deklaroi ai.

Rama përmendi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria po merr nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se vendi përfiton mbi 1 miliard euro ndihmë në vit, një ndihmesë që sipas tij, forcon reformat dhe stabilitetin ekonomik.

“Kur morëm detyrën, na takonin për bezdi, sot na vlerësojnë dhe na besojnë. Po hyjmë në një familje ku çdo qindarkë llogaritet,” përfundoi Rama.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button