Edi Rama mbyll takimin në Kavajë me një minutë heshtje në nder të Papa Françeskut

Kryeministri Edi Rama ka përmbyllur takimin elektoral të mbajtur sot në Kavajë me një minutë heshtje, në nder të Papa Françeskut, i cili është ndarë nga jeta.
Në shenjë respekti, Rama hoqi edhe kapelen me numrin 5, të cilën e ka mbajtur që prej nisjes së fushatës më 11 prill. Ai njoftoi lajmin e trishtë gjatë fjalës së tij, duke u shprehur i prekur për ndarjen nga jeta të Atit të Shenjtë.
“Më erdhi një mesazh këtu tani, më vjen shumë keq, ka ndërruar jetë Ati i Shenjtë, Papa Françesku, një njeri i jashtëzakonshëm. Unë kam pasur një raport personal me të, më çonte vazhdimisht mesazhe dhe më vjen jashtëzakonisht keq,” u shpreh Rama.
Kryeministri rikujtoi vizitën historike të Papa Françeskut në Shqipëri, duke theksuar se kjo ishte vendi i parë jashtë Vatikanit që ai zgjodhi të vizitonte pas zgjedhjes si Papë. “Ai kaloi në Shqipëri një ditë që e konsideronte të paharrueshme, dhe tha fjalën e paharrueshme që Shqipëria ka vëllazëri fetare,” shtoi Rama.
Në përmbyllje, ai kërkoi mirëkuptimin e të pranishmëve për të nderuar Papa Françeskun me një minutë heshtje dhe për të ndërprerë takimin.