Dybala mbyll sezonin para kohe, por e ardhmja mund ta çojë drejt Boca Juniors

Paulo Dybala ka përfunduar sezonin para kohe me Romën për shkak të një dëmtimi që kërkoi ndërhyrje kirurgjikale, duke e detyruar të qëndrojë jashtë fushave për tre muaj. Megjithatë, sulmuesi argjentinas ka arritur të aktivizojë klauzolën e rinovimit automatik, duke zgjatur kontratën me verdhekuqtë deri në vitin 2026.
Në një intervistë për “TyC Sports”, Dybala ka folur për të ardhmen dhe dëshirën për t’u rikthyer në vendlindje. Ai nuk e fshehu emocionin për klubin që e formoi si futbollist, Instituto de Córdoba, por zbuloi gjithashtu një lidhje të fortë emocionale me Boca Juniors, falë ndikimit të babait dhe bisedave të përditshme me shokun e skuadrës, Leandro Paredes.
“E di që tifozët e Instituto duan të më shohin atje sërish. Është një klub që më ka ndihmuar shumë dhe i jam mirënjohës”, tha Dybala. Megjithatë, zemra e tij duket e ndarë mes të kaluarës dhe tundimit të madh nga Boca: “Im atë ishte tifoz i Boca. Dy vëllezërit e mi ishin me Independiente dhe River Plate, por unë isha më i vogli dhe ata më merrnin gjithmonë me vete në stadium kur Boca luante në Córdoba”.
Ai rrëfeu se nuk ka qenë kurrë në një ndeshje të Boca si tifoz, por ishte shumë pranë gjatë pushimeve të fundit: “Kur po flisnim me Lea për pushimet, Boca do të luante në Miami dhe ai donte të qëndroja për ta parë nga afër”.
Lidhur me mundësinë e një transferimi në Argjentinë, Dybala u shpreh: “Nuk e di nëse do të ndodhë ndonjëherë, por do të më pëlqente shumë. Mendoj seriozisht për këtë. Paredes më bën presion çdo ditë për të shkuar te Boca”.
Duket se sfida më e madhe për verdhekuqtë nuk është rikuperimi i Dybala nga dëmtimi, por tundimi gjithnjë e më i madh për të veshur fanellën e “Xeneizes”.