Show biz

Dua Lipa viziton muzeun “Reporting House” pas koncertit në “Sunny Hill”: “Keni bërë një punë të mrekullueshme për të treguar historinë e Kosovës”

Pas koncertit spektakolar në “Sunny Hill Festival”, këngëtarja me famë botërore Dua Lipa, ka vizituar muzeun “Reporting House” në Prishtinë, pak para mesnatës së së hënës, më 4 gusht.

Duan e shoqëruan babai i saj dhe themeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa, aktori britanik dhe i fejuari i saj Callum Turner, vëllai Gjin Lipa dhe të tjerë nga ekipi i saj. Ata u pritën nga producentja Jeta Xharra, kuratori Gazmend Ejupi, gazetarja Donika Shahini dhe stafi i muzeut.

“Keni bërë një punë të mrekullueshme për të treguar historinë e Kosovës në këtë muze,” tha Dua Lipa gjatë vizitës, ndërsa falënderimet e veçanta i dha edhe Dukagjin Lipa, që e vlerësoi hapjen e muzeut jashtë orarit për ta. Ai theksoi se kjo vizitë ishte shprehje respekti për punën e bërë me muzeun.

I pranishëm gjatë vizitës, aktori Callum Turner u interesua veçanërisht për xhirimet arkivore të trupave speciale britanike (paratroopers), të cilët kanë zbarkuar në Kosovë në ditët e para të hyrjes së forcave të NATO-s më 1999. Ai dëgjoi me vëmendje shpjegimet e Duas për lagjet e Prishtinës që shfaqeshin në pamjet e BBC-së.

Një moment i veçantë ishte edhe rrëfimi i gazetares Donika Shahini, e cila ndau historinë e fletorës së fëmijëve të familjes Jashari, të shpëtuar nga Prekazi. “Ishte fantastike të shihje me sa interes dhe modesti Dua dhe Callum dëgjuan rrëfimin tim. Madje, Callum më pyeti me detaje për rezistencën e familjes Jashari dhe fëmijët që kishin rënë atë ditë,” tha Shahini.

Producentja dhe bashkëthemeluesja e muzeut, Jeta Xharra, tha se “fluksi i vizitorëve në ditët e festivalit ‘Sunny Hill’ ishte i jashtëzakonshëm, me shumë njerëz që ndoshta për herë të parë vizituan Kosovën dhe morën njohuri për historinë e saj”.

“Familja Lipa na ka bërë nder, jo vetëm me profesionalizmin e festivalit, por edhe me përkushtimin për ta promovuar një Kosovë moderne dhe një rini krenare me historinë e saj. Ishte e jashtëzakonshme që, pavarësisht lodhjes dhe fluturimit të afërt të Duas, gjetën kohë të vizitonin muzeun tonë,” shtoi Xharra.

Gjatë vizitës, familja Lipa vizitoi edhe Galerinë e “Reporting House”, ku po ekspozohet vepra “Fragmente të mbijetesës” nga artisti 18-vjeçar nga Gaza, Hussein al-Jerjaëi.

Muzeu “Reporting House” është hapur më 10 qershor 2024, në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë, dhe dokumenton punën e gazetarëve vendorë dhe ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë. Gjatë muajit gusht, muzeu është i hapur nga e marta në të premte, prej orës 10:00 – 20:00 dhe të shtunave prej orës 10:00 – 18:00.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button