Detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë në Lundër, Tiranë

Ngjarja e rëndë që ndodhi në zonën e Lundrës në Tiranë, ku katër persona, dy prej tyre të mitur, mbetën të plagosur, ka marrë zhvillime të reja. Sipas burimeve të besueshme, motori tip “Ducati”, me të cilin autorët janë larguar pas qëllimeve në drejtim të makinës “G Class”, është vërejtur duke u drejtuar në drejtim të Elbasanit.
Grupi hetimor ka mundur të gjurmojë motorin deri në autostradë, por më pas ka humbur gjurmët, pasi autorët kanë devijuar në disa rrugë fshatrash ku, për momentin, është e pamundur të gjurmohet për shkak të mungesës së kamerave të sigurisë.
Në lidhje me hetimet, grupi ka verifikuar disa pista, përfshirë një lidhje me ngjarjen e Lezhës, por asnjë nga këto pista nuk ka ofruar prova bindëse deri tani. Pjesa tjetër e botës së krimit që lëviz në zonën e atentatit është gjithashtu nën hetim. Po shqyrtohen mundësitë e se këta individë mund të kenë qenë shënjestër të ngjarjes ose, mund të kenë pasur një rol të mundshëm si autorë.
Në fokus të hetimeve janë vënë edhe pronarët e kompanisë së sigurisë fizike, të cilët po verifikohen për mundësinë që ata vetë të kenë qenë shënjestra të atentatit. Hetuesit po mblidhin të dhëna për aktivitetet e mundshme të këtyre individëve, përfshirë mundësinë e përfshirjes në veprimtari të dyshimta si fajde. Megjithatë, deri tani, nuk ka prova bindëse që të mbështesin këto dyshime.
Hetimet janë ende në zhvillim e sipër dhe autoritetet po bëjnë përpjekje maksimale për të zbardhur ngjarjen e rëndë dhe për të identifikuar autorët.